Qeveria me masa më rigoroze, s’ka gjendje të jashtëzakonshme

E publikuar: 12/07/2020 17:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës si pjesë e luftës kundër përhapjes së koronavirusit do të ndërmarrë masa më rigoroze, duke lënë të hapur edhe mundësinë e ndjekjes së procedurave për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

Një gjë të tillë e bëri të ditur sot në një konferencë për media, kryeministri Avdullah Hoti, pas përfundimit të takimit me Komitetin për menaxhimin e COVID-19, ku tha se janë dakorduar për masa më rigoroze për ndalimin e përhapjes së kësaj sëmundje të rrezikshme.

Ai ka bërë të ditur se për momentin nuk do të ketë shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, por ndjekje të masave rigoroze, ku nuk do të ketë tolerancë ndaj të gjithë atyre qytetarëve që nuk zbatojnë këto masa, e të cilat janë mbajtja e maskave, higjienës dhe distanca sociale.

Hoti: Masat shtesë do të jenë shumë më rigoroze

Video

“Kemi shqyrtuar dy skenarë. Skenari i parë kupton zbatim rigoroz të masave dhe ndërmarrjeve të masave të reja dhe skenari i dytë është shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme… Ne jemi duke ndërtuar një strategji që të merremi me këtë situatë të re… Sapo e kryem mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës ku ka një pajtueshmëri të përgjithshme për skenarin e parë dhe zbatimin e atyre masave dhe të përcjellin situatën duke mos e përjashtuar ndjekjen e procedurave për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme…Masat shtesë të cilët do të propozohen sot do të jenë më shumë rigorozitete në ato që kemi marrë më herët sepse masat më efektive për të parandaluar përhapjen e COVID-19, janë të thjeshta. Maska, distancë, higjienë”, tha Hoti.

Ai ka deklaruar se çdo të tretën ditë Komiteti për Menaxhimin me COVID-19 mblidhet dhe nëse edhe pas tre ditësh nuk ka përmirësim të situatës, atëherë të mërkurën do të mësohet nëse do të shpallet gjendja e jashtëzakonshme apo jo.

Hoti: Të mërkurën do të mësohet nëse shpallet gjendja e jashtëzakonshme apo jo

Video

“Çdo të tretën ditë po e mbledhim komitetin per COVID-19 për të vlerësuar gjendjen, duke qenë se javët e fundi është përkeqësuar gjendja… Besojmë që në takimin tjetër do të jemi këtu para jush për të treguar nëse duhet të shkohet drejt gjendjes së jashtëzakonshme”, tha Hoti.

Masat tjera nënkuptojnë që të ketë dezinfektues në çdo objekt, do të ndalohen tubimet publike dhe ritet fetare deri në një vendim tjetër.

Hoti po ashtu bëri të ditur se të gjitha këto masa do të hidhen në votim në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës.

Ai në emër të qeverisë shprehu keqardhje për të gjitha ato familje që kanë humbur të afërmit e tyre si pasojë e koronavirusit.

Ai tha se gjendja po rëndohet dhe se janë në limitet e kapaciteteve shëndetësore dhe do të bëhet e pamundur që të krijohen kapacitete shtesë shëndetësore.

Ndryshe, sipas një sondazhi të mëhershëm, 30 për qind e qytetarëve të Kosovës nuk besojnë në COVID-19. /KosovaPress/