Polica ka këshilluar Qeverinë e Kosovës që t’i rrisë masat e sigurisë brenda objektit qeveritar. Një nga këshillat e policisë ka qenë edhe mbulimi i dritareve me foli nëpër shkallët ku kalon stafi qeveritarë.
Krejt kjo ka të bëjë me rritjen e masave të siguresë për shkak të rrezikut të sulmeve terroriste.
Një kërkesë e tillë është aprovuar nga Qeveria, e cila menjëherë ka filluar ndërmarrjen e masave.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi ka thënë për ORAinfo se dritaret tek pjesa e shkallëve u janë vendosur foli për t’i bërë të padukshme nga jashtë.
Ky veprim sipas tij, ka ardhur pas rekomandimit nga organet e rëndit.
“Dritareve nga kalojnë shkallët u janë vendosur foli për t’u bërë të padukshme nga jashtë. Kjo është bërë me rekomandim të policisë”, ka thënë Abrashi për ORAinfo.
Ai ka mohuar se ndryshimi i pamjes së dritareve ka të bëjë me protestat e opozitës, ku në disa raste ishin thyer xhamat e objektit qeveritarë.
Kujtojmë se brenda një viti Qeveria e Kosovës është dashur t’i ndërrojë dy herë xhamat e saj për shkak se janë thyer nga protestuesit e partive opozitare gjatë protestave.