Qeveria mban mbledhje: Ndan mbi 250 mijë euro për procesin e votimit në veri më 21 prill

E publikuar: 22/03/2024 21:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje në mënyrë elektronike, në të cilën ka miratuar dy vendime.

Kabineti qeveritar ka miratuar nismën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, për amendamentimin e Marrëveshjes për Anëtarësimin e Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Organizatat e Grupit të Bankës Botërore, e ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me Ligjin për Anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Organizatat e Grupit të Bankës Botërore, dhe shpallur me dekretin datë 30 maj 2009 nga presidenti i Kosovës.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 252.004 eurove për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan më 21 prill.

Njoftimi i plotë nga Qeveria:

Nismën e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, për amendamentimin e Marrëveshjes për Anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Organizatat e Grupit të Bankës Botërore, e ratifikuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës me Ligjin Nr. 03/L-152 për “Anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Organizatat e Grupit të Bankës Botërore”, dhe shpallur me dekretin Nr. DL-013-2009, datë 30.05.2009 nga Presidenti i Republikës së Kosovës.

Kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 252,004 € për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat: Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.