Qeveria e Kosovës ka zhvilluar mbledhjen elektronike, e 88-ta me radhë, në të cilën u miratuan dy vendime dhe një nismë.
Sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, në këtë mbledhje u miratua vendimi për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, z. Besnik Bislimi, për nënshkrimin e Marrëveshjes dypalëshe për bashkëpunimin për zhvillim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut. Po ashtu, vendimi për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit Zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, z. Besnik Bislimi, për nënshkrimin e Amendamentit 2. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2015.
Në mbledhjen e sotme u miratua në parim edhe Nisma për plotësim dhe ndryshim të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2014.