Qeveria Kurti planifikon të ndërhyjë në UP, inicion shkarkimin e rektorit Naser Sahiti me akuza të pabaza

E publikuar: 19/10/2022 19:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nëntëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile kanë dalë me një komunikatë të përbashkët, ku e kundërshtojnë inicimin e shkarkimit të rektorit rë Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, duke theksuar se kjo po bëhet me akuza të pabaza.

“Ditëve të fundit ka pasur ndërhyrje nga zyrtarë të institucioneve shëndetësore, të afërt me partinë në pushtet, të cilët kanë ushtruar presion për ndryshimin e rregulloreve të Universitetit të Prishtinës, ashtu që ato t’u përshtaten atyre me qëllim të punësimit apo avancimit në pozita më të larta akademike”, thuhet në deklaratë.

Siç merr vesh Gazeta Express planifikimi i shkarkimit të rektorit po bëhet për shkak se atë pushteti aktual e konsideron të afërt me Partinë Demokratike të Kosovës.

Për më tepër, këto organizata thonë se kjo nuk është hera e parë që partia në pushtet përdor metodën e ndërrimit të rregullativës me qëllim të punësimeve dhe avancimeve të njerëzve të saj të afërt në institucione të arsimit.

“Rikujtojmë se para pak muajsh me iniciativë të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, me shmangie nga rregullorja e Kuvendit dhe me procedura të përshpejtuara, është amandamentuar Ligji për Zyrtarët Publikë, me ç’rast u është lejuar deputetëve që të vazhdojnë punën si pjesëtarë të stafit akademik në universitete”, thuhet më tej.

Organizatat shprehin zhgënjimin e thellë me institucionet përgjegjëse për arsimin e lartë në Kosovë, me theks të veçantë me Qeverinë e Kosovës, e cila, sipas tyre, nuk mori asnjë masë kundër zgjedhjes në Këshillin Drejtues të Universitetit të Prishtinës të një plagjiatori të denoncuar publikisht, si dhe injoroi deklaratën tonë të datës 29 qershor 2022, ku OJQ-të thonë se denoncuan procesin në fjalë.

“Së fundmi, pa u zgjidhur problemi i anëtarit të Këshillit Drejtues, i cili është denoncuar publikisht për plagjiaturë, anëtarët e Këshillit Drejtues, si nga radhët e Universitetit të Prishtinës, ashtu edhe ata të emëruar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, kanë iniciuar shkarkimin e rektorit të UP-së prof. dr. Naser Sahiti, pa dhënë asnjë shpjegim për arsyet”.

Organizatat e shoqërisë civile thonë se janë dëshmitare se asnjë skandal nuk është raportuar që nga zgjedhja e prof. dr. Naser Sahitit në pozitën e rektorit.

Përkundrazi, organizatat monitoruese të arsimit të lartë para pak kohësh kanë theksuar avancimin e transparencës në Universitetin e Prishtinës gjatë mandatit të tij. Po ashtu, organizatat monitoruese të UP-së kanë raportuar se në proceset e ndjeshme, si ato të avancimeve akademike, ka pasur meritokraci, thuhet në deklaratë.

“Ne, organizatat e poshtëshënuara, e denoncojmë çdo tentativë të shkarkimit të zyrtarëve të institucioneve të arsimit të lartë pa u bazuar në gjetje reale të keqpërdorimeve të mundshme të tyre, si dhe pa e bërë të qartë se cilat janë ndryshimet që planifikohen të ndodhin”.

Organizatat e nënshkruara:

Admovere
Balkan
Art Zone
Çohu
DokuFest
EC Ma Ndryshe
EcoZETEAGERMIN
Iniciativa për Histori Gojore/ Oral History Initiative
Junior Chamber International
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile – KCSF
Qendra Kosovare për Arsim – KECKi
no ARMATA
Lëvizja FOL
OJQ ZANA
Syri i Vizionit
Shkëlzen Gashi
Shoqata e Intelektualëve të Pavarur në Deçan
TOKA