“Qeveria Kurti 3 po vjen”, VV me një video 4 minuta tregon si “lulëzoi” Kosova për 4 vjet

E publikuar: 25/03/2025 10:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ndonëse ende nuk janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025 dhe partia e Albin Kurtit nuk i ka siguruar numrat për krijimin e qeverisë së re, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë paralajmëruar ardhjen e e Qeverisë Kurti 3.

“Rend, ligji dhe shpresë, cep më cep vendit. Katër vite për Republikën,  katër vite që i dhamë shtetit themel dhe qytetarëve dinjitet. Zgjedhjet e 9 shkurtit, dëshmuan punën tonë të mirë në këtë mandat. Ne presim shumë punë të mira në mandatin që kem përpara. Po jetojmë në rrethana të vështira globale. Vetëm me një qeverisje të mirë do të triumfojmë. Drejtësi, punë, sovranitet, dinjitet, siguri, zhvillim, rrugë, arsim, shëndetësi. Qeveria Kurti 3 po vjen.”, thuhet në videon e publikuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Vetëvendosje thotë se Qeveria Kurti është qeveria e parë në historinë tonë politike që realizon një mandat të plotë.

“Ky mandat katërvjeçar u shënua nga suksese të rëndësishme dhe sfida të mëdha. Katër vite për Republikën, katër vite që i dhanë shtetit themel të fuqishëm dhe qytetarëve dinjitet. Kosova sot është më e sigurt, më e fortë dhe më e zhvilluar se kurrë më parë, me rend, ligj dhe shpresë në çdo cep të vendit. Zgjedhjet e 9 shkurtit dëshmuan punën tonë të mirë gjatë këtij mandati.” kanë thënë nga Vetëvendosje.

Në një video në 4 minuta e 24 sekonda, Vetëvendosje thotë që Qeveria Kurti u përballë në katër vite me pandëminë, luftën në Ukrainë, sulmet terroriste. Krejt këto sfida sipas Vetëvendsjes, Qeveria Kurti i kaloi me sukses.

As në këtë video Vetëvendosje nuk e ka lënë pa i përmendur veprimet e opozitës, si dërgimi i disa ligjeve në Kushtetuese.

Në video është thënë se me këtë opozita vonoi disa procese të rëndësishme, si Ligji për KPK dhe vettingu, por sipas Vetëvendosjes “ato do të bëhen”.