Qeveria kundër tërheqjes së 30 përqindshit nga Trusti

E publikuar: 01/06/2022 12:22
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Albin Kurti e ka bërë të qartë se Qeveria e Kosovës është kundër lejimit të mundësisë për tërheqjen e 30 përqindshit nga Trusti.

Ai, në mbledhjen e sotme të qeverisë, ka thënë se nuk mund të zgjidhet problemi i përkohshëm duke e rrënuar të ardhmen.

“Buxheti i vitit 2028 është buxheti jonë dhe po ashtu mjetet në Trustin Pensional janë tonat, por buxheti në vitin 2028 është buxhet për vitin 2028 dhe jo për vitin 2022. Njësoj edhe pensionet nuk janë për tash, por kur të hyjmë në pleqëri. Nuk mund të lejojmë që edhe ta humbim të ardhmen edhe të mos e fitojmë të tashmen”.

“As shtetet me nivelin më minimal të seriozitetit nuk diskutojnë për opsionin e rrënimit të sistemit afatgjatë si përgjigje për një problem afatshkurtër. Ne e kemi të qartë që mjetet e akumuluara në Trust janë të qytetarëve, por vetë natyra obligative e tyre tregon që ato vihen në dispozicion, jo në bazë të preferencave politike apo individuale, por në varësi të moshës së arritur. Edhe një herë po e ritheksoj se buxheti i Kosovës pas gjashtë vjetëve, në vitin 2028, patjetër se është i qytetarëve, por nuk mund ta harxhojmë atë sot për të zgjidhur problemet e sotme. Ngjashëm është edhe me Trustin Pensional”.

Kurti u shpreh i bindur se lejimi i tërheqjes prej 30% të mjeteve nga Trusti mund të rrënojë pleqërinë e brezit të tanishëm, njofton Klankosova.tv.

“Ne mbase jemi brezi i parë që mund të ketë pleqëri të dinjitetshme dhe nëse edhe këtë e rrënojmë qysh sot për një problem afatshkurtër në situatën ku ngjallen panika të paqena atëherë edhe brezi jonë po e humbet këtë mundësi që e kemi ndërtuar dhe po e ndërtojmë të gjithë së bashku”.