Derisa presionet për largimin e taksës po rriten, Qeveria Kurti ka krijuar ekipin që do të merret me heqjen e taksës. E, pavarësisht kërkesës së ndërkombëtarëve për largimin e taksës pa reciprocitet, Kurti nuk po heq dorë nga kjo e fundit. Mirëpo nga partia e kryeministrit, po thonë se Kosova duhet t’i mbajë marrëdhëniet e mira e ndërkombëtarë
Presioni për të hequr tarifën 100 për qind ndaj produkteve serbe nuk po ndalet. Madje një presion i tillë dita ditës vetëm sa po shkon duke u rritur.
E për të hequr këtë tarifë, pajtohet edhe kryeministri Albin Kurti. Por, i njëjti dëshiron që të vë reciprocitet ndaj Serbisë.
Por, as kjo ide nuk po përkrahet, veçanërisht nga diplomatët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët janë involvuar direkt në çështjen Kosovë – Serbi.
Ndërkohë, është një deputet i Lëvizjes Vetëvendosje që po thotë se ruajtja e marrëdhënieve me miqtë ndërkombëtarë është parim i shtetndërtimit të Kosovës.
Hajrullah Çeku ka treguar se tashmë, është krijuar edhe një ekip që do të merret me modalitetet e heqjes së tarifës dhe vënies së reciprocitetit.
E, për iniciativën e opozitës për të thirrur një seancë të jashtëzakonshme për mosheqjen e tarifës, Çeku thotë se VV’ja do të marrë pjesë në rast se vetëm arrihet të thirret kjo seancë.
Ndërkohë, heqjen e kësaj mase po e kërkojnë komuniteti i biznesit.
“Ne nuk mbështesim kurrfarë barriere tarifore ose jo tarifore. Kemi shprehur shqetësimin tonë sa i përket vendimit të qeverisë së Kosovë për vendosjen e masave tarifore. Kjo nuk i kontribuon as marrëdhënieve jo të mirë fqinjësore. Pasojat e vendimeve të tilla bartën nga ana e ndërmarrjeve private dhe konsumatorëve të cilët do të paguajnë çmimin për çfarëdo mase tarifore”, ka thënë Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane.
Zeka ka shtuar se duhet të hapet mundësia për arritjen e një marrëveshje mes Kosovës e Serbisë, që sipas tij do të mundësonte kthimin e investitorëve të huaj, të cilët janë larguar. /Kaltrina Zymberi, T7/