Qeveria kërkon nga opozita që të përmbahen nga aktet e dhunës

E publikuar: 22/09/2015 13:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës përmes një njoftimi për media ka dënuar aktet e dhunshme të zhvilluara sot nga deputetët e opozitës në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku kryeministri , Isa Mustafa, po informonte deputetët dhe qytetarët e Republikës së Kosovës lidhur më marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“Qeveria e Kosovës vlerëson se të gjithë kanë për detyrim të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të shmangin veprimet që tejkalojnë format demokratike të opozitarizmit të cilat dëmtojnë interesat e Republikës së Kosovës. Qeveria fton Kuvendin e Kosovës që të krijojë kushte normale të punës, në mënyrë që sot të vazhdoj pa pengesa seanca e Kuvendit të Kosovës dhe që qytetarët e Republikës së Kosovës të informohen në detaje për përmbajtjen e marrëveshjeve të arritura”, thuhet në njoftim.

Qeveria e Kosovës siguron qytetarët e saj se marrëveshjet e arritura në Bruksel, janë në përputhje të plotë me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe vlerëson se ato do t’i hapin rrugë integrimeve euroatlantike të vendit, dhe se janë mbështetur fuqishëm nga partnerët strategjik të Kosovës, SHBA-të dhe BE-ja.