Qeveria ka katër kushte për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, propozimi iu dorëzua Lajçakut

E publikuar: 06/02/2022 19:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Më 3 prill serbët pritet t’u drejtohen kutive të votimit, ku do të vendosin për përfaqësuesit e tyre në parlament dhe për presidentin e ri të tyre. Demokracia.com ka mësuar se Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ia ka dorëzuar një propozim konkret të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, lidhur me lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë.

Tash e një kohë të gjatë është duke u diskutuar nëse do të lejohet apo jo mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë, duke marrë parasysh komunitetin serb që jeton në vendin tonë. Referendumi nuk u lejua të mbahej dhe krerët e institucioneve vazhdimisht kanë deklaruar se më nuk do të lejojnë të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.

Megjithatë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tashmë ia ka bërë një propozim konkret të deleguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili përbëhet prej katër pikave kryesore dhe si modalitet do të ishte i pranueshëm edhe për Qeverinë Kurti, që ta lejonte mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Ky është propozimi që Demokracia.com ka mësuar nga diplomatët evropianë se i është dorëzuar të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi: Serbisë do t’i lejohet të mbajë zgjedhje në Republikën e Kosovës nëse përdor emrin “Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë” në të gjitha dokumentet dhe vendvotimet. Qeveria e Republikës së Kosovës pajtohet që t’u japë imunitet dhe privilegje diplomatike qendrave të votimit dhe individëve të përfshirë në organizimin e zgjedhjeve; Misioni i OSBE-së në Republikën e Kosovës organizon mbajtjen e zgjedhjeve dhe mbledhjen e votave në vendvotime; Partitë politike dhe politikanët serbë nuk do të lejohen të zhvillojnë fushatë zgjedhore në territorin e Republikës së Kosovës; Reciprociteti zbatohet për shtetasit e Kosovës që jetojnë në Serbi të bazuar në të njëjtën praktikë.

Lajçak pas vizitës që kishte në Kosovë së bashku me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka udhëtuar menjëherë për në Serbi.

Pas takimit me liderët serbë, Lajçak kishte deklaruar se Bashkimi Evropian është pro mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.