Qeveria ia lë fajin SBAShK-ut: Pas takimit, ata thanë se greva vazhdon

E publikuar: 21/09/2022 20:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Drejtoreshën Evropiane të Komitetit Evropian të Sindikatave për Arsim (ETUCE), Susan Flocken, së bashku me përfaqësuesit e Këshillit Grevist.

Kryeministri Kurti potencoi rëndësinë e mësimdhënësve për edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve, marrë parasysh angazhimin e tyre pedagogjik, emocional dhe psikologjik gjatë dhe pas orarit të punës.

Nisur nga kjo e në kuadër të mbështetjes së Qeverisë për mësimdhënësit, Kryeministri Kurti e informoi znj.Flocken se Qeveria e Republikës së Kosovës ka rritur buxhetin për arsim sivjet për 12%. Po ashtu e njoftoi për Pakon për Përballjen me Inflacionin, në vlerë prej 150 milionë euro, e cila ofron mbështetje financiare për punëtorët e sektorit publik, përfshirë mësimdhënësit, nëpërmjet shtesës prej 50 euro, minimalisht për të gjithë muajt e mbetur të vitit. Një rritje e këtillë tejkalon shkallën e inflacionit në vend.

Në këtë takim, ku ishte e pranishme edhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, u theksua se Qeveria ka proceduar projektligjin për Paga në Sektorin Publik, që ka qenë kërkesë qendrore e kahmotshme sindikale, ndërsa është trajtuar që nga fillimi me prioritet nga Qeveria.

Projektligji për Pagat në Sektorin Publik tashmë është në dëgjim publik.Nga Qeveria u ritheksua domosdoshmëria që sindikatat të jenë pjesë përmbajtjesore e diskutimeve publike për ligjin për pagat, ligj ky i cili ka për qëllim të sigurojë barazi dhe trajtim të dinjitetshëm të sektorit publik në vend.Në Projektligjin e ri për paga, të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit janë trajtuar me kujdes të veçantë, ndërsa mësimdhënësit do të kenë koeficientin më të lartë ndonjëherë, u tha në takim.

U potencua se pas së paku 30 takimesh ndërmjet Qeverisë dhe sindikatave, si dhe komunikimit të vazhdueshëm me përfaqësuesit e sindikatave, Kryeministri Kurti, më 13 shtator 2022, ka ftuar dhe pritur në takim Këshillin grevist, me kryetarin dhe anëtarët e këtij këshilli. Në këtë takim, përfaqësuesit e Këshillit Grevist kishin thënë që do të konsultohen me anëtarësinë për çështjet e diskutuara. Përkundër kësaj, menjëherë pas takimit, ata deklaruan për media se greva vazhdon.Në këtë pikë, znj.Flocken potencoi rëndësinë e diskutimit të ofertës me anëtarësinë, duke theksuar se vendimmarrja buron nga anëtarësia e sindikatës.

Qeveria theksoi përkushtimin për ndërmarrjen e hapave në drejtim të reformës në sistemin pensional dhe atë të sigurimeve shëndetësore. Po ashtu, Qeveria tashmë është zotuar që tek barnat esenciale do të shtohen 10 milionë euro.Gjatë takimit u tha se paraprakisht, MAShTI ka adresuar edhe çështje tjera që janë ngritur nga sindikata e Arsimit: si ndarja e 1.7 milionë euro për rreth 300 mësimdhënës me sëmundje të rënda, buxhet shtesë për mësimdhënësit që konsiderohen tepricë, ashtu që të mos mbeten pa punë. Në vitin 2022, 1600 mësimdhënësve u janë ruajtur normat, ndërkohë që për vitin 2023 tashmë janë planifikuar t’iu ruhen normat 2209 punëtorëve të arsimit.Qeveria mbetet e përkushtuar për dialog dhe pret reagimin pasues nga Këshilli Grevist.