Në një arsyetim të rikthimit në Kuvend, Lista Serbe akuzoi Kryeministrin Albin Kurti se, bashkë me Rada Trajkoviqin, po planifikonin t’i hiqnin serbëve të drejtat e rezervuara, prandaj rimorën mandatet e deputetëve. Qeveria e Kosovës thotë se Lista Serbe e pranoi që keqpërdor brutalisht ulëset e rezervuara.
Një javë pasi Lista Serbe nisi zinxhirin e largimeve nga institucionet e Kosovës, duke dorëzuar mandatet e deputetëve, nëntë anëtarë të saj janë shfaqur befasisht sot në Kuvendin e Kosovës.
Pasi u betuan nëntë deputetë të rinjë të LS, pastia doli më një njoftim konspirativ.
Lista Serbe thotë se u kthye në Kuvend për ta ndalur planin e Kurtit që të ndryshojë Kushtetutën e ligjet, ashtu që t’i marrë serbëve të drejtat që i kanë.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë sot për Gazetën Express se Lista Serbe e pranoi që keqpërdor brutalisht ulëset e rezervuara për pakicën serbe.
“Se si plotësohen ulëset e deputetëve është çështje kushtetute e ligji dhe jo plani politik. Kjo vetëm sa tregon se si mendojnë përfaqësuesit e Listës Serbe, pra mendësinë e tyre. Dhe, natyrisht, e pranuan që po i keqpërdorin brutalisht ulëset e rezervuara, si armë kundër shtetit të Kosovës e jo si vlerë e gjithpërfshirjes dhe integrimit”
Lista Serbe në komunikatën e saj, përveç Kurtit, akuzonte edhe politikanen serbe, Rada Trajkoviq, ndaj të cilës kanë nisur kërcënimet publike në Beograd.
“Vendimi i sotëm strategjik e ka ndalur direkt realizimin e planit të Albin Kurtit dhe të serbëve që i shkojnë për shtati atij, për ta ndërruar kushtetutën dhe ligjet që i garantojnë të drejtat serbëve në Kosovë”, thuhej në reagimin e LS.
Lista Serbe më pas është thelluar në skenarin e saj, duke thënë se Kurti dhe Trajkoviq kanë planifikuar t’i zhbëjnë komunat serbe, ta largojnë gjuhën serbe e të tjera ide.
“Qëllimi i Kurtit dhe Rada Trajkoviqit, por edhe të tjerëve si ajo, ka qenë që të votohet në ndryshimet e Kushtetutës, që do të çonin në zhbërjen e komunave serbe, heqjen e pronave të Kishës Ortodokse Serbe dhe largimin e gjuhës serbe, të drejtën për përfaqësim në institucione, e të tjera”.