Qeveria Hoti heq reciprocitetin me Serbinë

E publikuar: 06/06/2020 10:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria Hoti ka shfuqizuar vendimet përmes së cilave është vendosur masa e reciprocitetit me Serbinë.

Nën udhëheqjen e kryeministrit Hoti, ekzekutivi ka shfuqizuar vendimin e datës 20 mars 2020 të qeverisë së kaluar Kurti për zbatimin gradual të reciprocitetit me Serbinë dhe vendimin e datës 30 maj 2020, për plotësim ndryshimin e vendimit të parë për këtë masë.

Kundër këtij vendimi kanë votuar përfaqësuesit e AAK-së në Qeveri.

Kryeministri Avdullah Hoti e ka quajtur vendim të rëndësishëm heqjen e reciprocitetit. Ai në një konferencë për media ka thënë se presin qw edhe pala serbe t’i heq pengesat në mënyrë që t’i lihet rrugë vazhdimit të dialogut.

“Kemi marrë një vendim të rëndësishëm për heqjen e pengesave për vazhdimin e dialogut. Presim që edhe pala serbe të heq të gjitha pengesat por ne ruajmë të drejtën tonë si shtet sovran që të vendosim masa pëe ruajtjen e sovranitetit tonë në përputhje me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Hoti ka deklaruar se pas heqjes së pengesave do të ulen në dialogun me Serbinë.

Ai ka thënë se këto vendime i kanë marrë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë.

“Këto vendime vijnë si rezultat i koordinimit me partnerët ndërkombëtarë. Zotimet që i kemi marrë janë që t’i heqim pengesat e dialogut. Edhe ambasadorit amerikan dje ia konfirmova këtë vullnet. Janë hequr të gjitha pendesat për një periudhë kohore. Nëse dialogu nuk jep rezultatet e pritura ne ruajmë të drejtën për të vendosur sërish”, ka thënë ai.

Hoti ka deklaruar se vendimet që janë marrë sot, hyjnë në fuqi menjëherë.