Qeveria gjen zgjidhje për veteranët e UÇK-së

E publikuar: 06/02/2016 11:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Frytdhënës dhe konstruktiv u quajt sot takimi mes përfaqësuesve të organizatave të dala nga lufta dhe Qeverisë së Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa, bashkë me zëvendësin e tij Hashim Thaçin dhe ministrin për Punë dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, të cilët takuan përfaqësuesit e Organizatës së veteranëve të luftës së UÇK-së, si dhe përfaqësuesit e shoqatës së invalidëve dhe familjeve të dëshmorëve të UÇK-së, thanë se treguan përkushtimin e institucioneve të Kosovës për t’iu zgjidhur hallet që kanë këta të fundit.

Mustafa tha në konferencë për media se Qeveria ka bërë përpjekje që të sigurojë fondet për të përballuar pensionet për veteranët.

“Natyrisht se numri i veteranëve është i tillë që ne duhet të mundohemi që të plotësojmë të gjitha kërkesat e tyre sipas vendimeve të cilat janë marrë, të plotësojmë edhe në pikëpamje kohore dhe të kujdesemi edhe për invalid të luftës të UÇK-së dhe të gjitha këto do t’i koordinojmë bashkërisht në një proces të punës të përbashkët drejtpërdrejt me qeverinë ose me ministritë përkatëse”, ka thënë Mustafa.

Përfaqësuesi i familjeve të veteranëve të UÇK-së, Smajl Elezi, tha se takimi me Qeverinë ishte konstruktiv dhe se do presin veprimet e Qeverisë.

“”Mendoj që kemi gjet mirëkuptim dhe do e gjejmë një rrugë që do kalojmë problemet që i kanë veteranet dhe hallet e tjera të veteranëve. Çështja e pagesave dhe besoj që jemi dakorduar që prej kohës kur kanë aplikuar veteranët Qeveria të bëjë pagesën për ta”, tha Elezi.

Ditë më para Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Veteranëve, organizoi një protestë, ku u tha se Qeveria ka një muaj kohë që t’i marrë parasysh kërkesat e tyre, siç ishin formimi i një këshill që do të bënte përcaktimin e shkallës së invaliditetit, shqyrtimi i ankesave të tyre dhe publikimi sa më shpejtë, dhe heqja nga lista e veteranëve e të gjithë atyre që nuk kanë qenë pjesë e luftës së UÇK-së.