Një zyrtar për media i Qeverisë së Malit të Zi ka konfirmuar ftesën që Kryeministri Haradinaj i ka bërë kolegut të Malit të Zi Dusko Markoviq që ta vizitojë Kosovën. Srgjan Kusovac nga Zyra për media e Qeverisë Malazeze ka thënë se data e vizitës do të dakordohet nga dy kabinetet qeveritare.
Sipas gazetës së Podgoricës “Vijesti”, termini i kësaj vizite nuk është dakorduar ende. Burime të Gazetës Express bëjnë me dije se një termin i përafërt është dakorduar ndërmjet Haradinajt dhe Markoviq dhe se vizita do të ndodhë ndërmjet 20 dhe 30 janarit të vitit të ardhshëm.
Zyrtari malazez duke e konfirmuar takimin e haradinajt dhe markovicit në Bruksel megjithatë ka thënë se shefi i qeverisë malazeze nuk ka ndryshuar qëndrim rreth demarkacionit.
“Kryeministri Markoviq me këtë rast kolegut Haradinaj i ka thënë se në lidhje me demarkacionin e kufirit qëndrimi i Qeverisë së Malit të Zi nuk do të ndryshojë dhe i ka bërë thirrje Kosovës që ta ratifikojë në Parlament marrëveshjen që është edhe nga adresat më të larta në Bruksel dhe Uashington”, ka thënë Kusovac.















