Qeveria e Kosovës duhet t’i paguajë mbi 1.4 milion euro bastoreve për revokimin e licencave

E publikuar: 12/06/2025 11:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Komerciale e Kosovës, përmes Dhomës së Shkallës së Parë – Divizioni për Investitorë të Huaj, ka miratuar pjesërisht kërkesëpadinë e tre subjekteve të licencuara më parë për veprimtari të lojërave të fatit, duke e obliguar Qeverinë e Kosovës që t’u paguajë atyre mbi 1.4 milionë euro për dëmin e shkaktuar pas revokimit të licencave.

Sipas aktgjykimit të datës 4 mars 2025, që e ka siguruar InfoSot të lëshuar nga gjyqtarja Verona Dibra, Qeveria e Kosovës detyrohet të kompensojë dëmin në formën e fitimit të munguar, si pasojë e ndërprerjes së parakohshme të aktivitetit të tri kompanive:

“MaxCapital” SH.A. do të përfitojë 37,641.81 euro, për periudhën nga 10 maj 2019 deri më 5 qershor 2019, për shkak të revokimit të licencës për baste sportive.

“Science Soft” SH.P.K. do të përfitojë 287,500.45 euro, për periudhën nga 10 maj 2019 deri më 1 nëntor 2019, gjithashtu për baste sportive.

“Club Gold” SH.P.K. do të përfitojë 1,086,608.33 euro, për periudhën nga 10 maj 2019 deri më 26 shtator 2020, për aktivitetin me automatë në klube të veçanta.

Përveç shumave të kompensimit, Gjykata ka vendosur që Qeveria të paguajë interes vjetor prej 8% mbi këto shuma, duke filluar nga data e parashtrimit të padisë, 28 maj 2020, deri në pagesën e plotë të borxhit, brenda afatit 7-ditor pas plotfuqishmërisë së këtij vendimi.

Gjithashtu, Qeveria e Kosovës obligohet të kompensojë shpenzimet procedurale në vlerë prej 5,528.10 euro, në favor të paditësit “MaxCapital” SH.A.

Sidoqoftë, pjesë të tjera të kërkesëpadive që kapnin shifra shumë më të larta, mbi 34 milionë euro në total janë refuzuar nga Gjykata si të pabazuara.

Shuma totale që Qeveria e Kosovës obligohet të paguajë pa përfshirë kamatat ligjore janë: “MaxCapital” SH.A. – 37,641.81 €; “Science Soft” SH.P.K. – 287,500.45 €; “Club Gold” SH.P.K. – 1,086,608.33 €; Shpenzime procedurale ndaj “MaxCapital” – 5,528.10 €, ndërsa totali është 1,417,278.69 €.

Në pritje të vendimit të plotfuqishëm, mbetet të shihet nëse Qeveria do të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi të shkallës së parë./Infosot

Qeveria e Kosovës duhet t’i paguajë mbi 1.4 milion euro bastoreve për revokimin e licencave