E udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të gjashtën me radhë në të cilën ka miratuar gjashtë projektligje dhe vendime nga fushat e saj të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.
Vendimi i parë të cilin e ka aprovuar në mbledhjen e sotme ishte autorizimi i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, i emëruar me Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës me nr. 01/04, të datës 22.09.2017, që të bëjë vlerësimin e punës së Komisionit të mëparshëm Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror.
Komisioni do të përgatisë Raportin për të gjeturat dhe rekomandimet për procesin brenda afatit optimal.
Projekt kodi i drejtësisë për të mitur, i cili ka marr aprovimin e kabinetit qeveritar, rregullon procedurën penale për të miturit, shqiptimin e masave ose dënimeve me qëllim që realizimi i interesit te të miturit kur këtë e kërkojnë arsyet.
Garantimi dhe respektimi i të drejtave dhe lirive të të miturve janë të parapara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në Konventën për të drejtat e fëmijës dhe marrëveshjeve tjera ndërkombëtare në sistemin e drejtësisë.
Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për procedurën jo-kontestimore, i aprovuar sot nga Qeveria e Kosovës, harmonizon legjislacionin në këtë fushë dhe eviton pengesat dhe vështirësitë në zbatimin e tij. Me plotësimin dhe ndryshimin e ligjit, kompetencat për kryerjen e të gjitha procedurave jo-kontestimore dhe trashëgimore barten nga gjyqtarët te noterët.
Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për ndërmjetësim.
Ky projektligj rregullon mënyrën, funksionimin, procedurën dhe organizimin e ndërmjetësimit si dhe të drejtat dhe përgjegjësitë e ndërmjetësuesve. Kjo bëhet me qëllim të lehtësimit të qasjes në zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve dhe kontesteve midis palëve. Projektligji është në pajtueshmëri me legjislacionin evropian.
Në mbledhjen e sotme, kabineti qeveritar ka miratuar edhe Projektligjin për noterinë. Projektligji rregullon organizimin, kushtet për ushtrimin e detyrës së noterit, provimin e noterisë, kompetencat e noterit si dhe çështjet tjera me rëndësi për ushtrimin e detyrës së noterit në territorin e Republikës së Kosovës.
Edhe Projektligji për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik është aprovuar nga Qeveria. Ky
Projektligj forcon integritetin dhe garantimin e kryerjes së detyrave publike në mënyrë objektive, të paanshme dhe transparente të zyrtarëve publik. Qëllimi i Projektligjit është që të identifikojë, parandalojë, menaxhojë dhe zgjidh konfliktin e interesit të zyrtarëve publik.
Projektligji i fundit që mori aprovimin në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës ishte Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për trashëgiminë në Kosovë. Projektligji harmonizon legjislacionin që ndërlidhet me fushën e trashëgimisë dhe eliminon pengesat dhe vështirësitë e tij në zbatim. Ndryshimet dhe plotësimet autorizojnë noterët në kryerjen e disa funksioneve në fushën e trashëgimisë dhe përfshirjen e organit të kujdestarisë në dhënien e lejes për heqjen dorë nga trashëgimia në emër të të miturve.
Me kërkesën e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Qeveria ka aprovuar vendimin për bartjen e një pjese të stafit politik e profesional të kësaj ministrie në qytetin e Prizrenit. Vendimi do të realizohet nga ministria, komuna dhe institucionet tjera.
Qeveria ka miratuar rekomandimin e Panelit të posaçëm (ad-hoc) për emërimin e Martin Halilajt për hetues për hetimin e aksidenteve hekurudhore.
Është miratuar vendimi përfundimtar për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i Rrugës Lidhëse me Rrugën Nacionale N9 Prishtinë – Pejë, Zona Kadastrale e Kijevës, Komuna e Malishevës.
Qeveria ka miratuar edhe vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të KBI “Kosova Export” dhe NSH
“Bujqësia” të cilat prekën nga renovimi i Stadiumit të futbollit “Agron Rama” në komunën e Obiliqit.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar në parim nismën për nënshkrimin e marrëveshjes financiare trilaterale mes Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Maqedonisë për vitin 2016, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar IPA II.
Kryeministri ka njoftuar kabinetin qeveritar me hapat që duhet ndërmarrë me qëllim të zgjidhjes së problemeve me të cilat po ballafaqohet “Trepça”. Kryeministri ka theksuar se hapat e evidentuar deri tani janë të fushës dhe përgjegjësive të ministrive si vijon:
Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE):
– Të miratohet Statuti i Trepça SH.A. duke u bazuar në nenin 6 të Ligjit nr.05/L-120 për Trepçën;
– Të bëhet regjistrimi Trepça SH.A në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (MTI) duke u bazuar në nenin 7 të Ligjit nr.05/L-120 për Trepçën;
– Gjithashtu ministria e cekur në nenin 7 të Ligjit të lartcekur të bëj regjistrimin e njësive banesore Trepça SH.A. të cekura në nenin 2, paragrafët 2.1, 2.2 dhe 2.3 të këtij Ligji;
– Bazuar në nenin 3 paragrafët 3.1, 3.2 dhe 3.3 të Ligjit dhe arsyeshmërinë ekonomike dhe financiare të formohen edhe njësitë e parapara në këtë dispozitë.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS):
– Të sigurohet baza juridike për dhënien e pensioneve me 70% nga paga e punëtorëve, ashtu siç janë pensionet në disa institucione në Republikën e Kosovës;
– Të sigurohet baza juridike për pranimin e stazhit të punës për vitet 1990-1999;
– Punësimi i të rinjve, dhe
– Zbatimi i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës
Ministria e Financave (MF):
Ndërmarrja Trepça, të përfshihet në procesin e faljes së borxheve të shkaktuara në periudhën e UNMIK-ut.
Nga ministrja e Ministrisë së Integrimeve Evropiane, kabineti qeveritar është informuar për procesin e rishikimit të Programit kombëtar për zbatimin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit. Ky është një proces i rregullt vjetor dhe ka për qëllim hartimin e masave afatshkurtra dhe planifikimit me qëllim që PKZMSA të bëhet dokument realist. Procesi i rishikimit fillon në shtator 2017 dhe përmbyllet në janar 2018 dhe ndahet në këto faza:
1. Hartimi i masave afatshkurtra
2. Hartimi i pjesës narrative
3. Reflektimi i rekomandimeve të KE-së
4. Kontrolli përfundimtar i harmonizimit me Planin Vjetor të Punës së Qeverisë 2018
5. Konsultimet publike, dhe
6. Miratimi i PKZMSA së rishikuar nga Qeveria dhe Kuvendi.
Kabineti është njoftuar edhe me fillimin e zbatimit të projekteve të financuara nga fondet e Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA). Shuma e alokuar për Kosovën në programin e IPA II për vitet 2014-2020 është 645,5 milion, të cilat do të shpërndahen në sektorët:
Demokracia dhe qeverisja;
Sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore;
Energjia;
Konkurrueshmëria dhe inovacioni;
Arsimi, shëndetësia dhe politikat sociale;
Bujqësia dhe zhvillimi rural
Mjedisi; dhe Bashkëpunimi regjional.
Aktualisht janë duke u zbatuar 246 projekte të financuara nga IPA, në vlerën totale prej 173, 867,805 euro, derisa janë planifikuar edhe 53 projekte në vlerën 145,356 euro.
Në mbledhje është prezantuar informata e Ministrisë së Integrimeve Evropiane për kontributin e parë të Institucioneve të Republikës së Kosovës për Raportin vjetor të Komisionit Evropian për Kosovën, për vitin 2018.
Në mbledhjen e zhvilluar sot, Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar vendimin për faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka ngritur shqetësimin në rritje për kanosjen e jetës së qytetarëve nga qenët endacak. Ai ka kërkuar një mobilizim ndërinstitucional, duke përfshirë komunat dhe ministritë përkatëse që në një afat sa më të shkurtër të adresohet kjo çështje dhe të merren masat për tejkalim të situatës së krijuar.



















