Qeveria deklarohet për zgjedhjet në Veri: Do të ofrojmë mbështetje për kryetarët dhe asambleistët

E publikuar: 24/04/2023 13:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës, ka dalë me komunikatë pas zgjedhjeve të 23 prillit që u karakterizuan me pjesëmarrje të ulet të votuesve, poqë u cilësuan si ligjore nga ambasada amerikane në Kosovë.

Ekzekutivi është zotuar se do të ofrojë mbështetje për kryetarët e rinj të zgjedhur dhe asamblistëve.

”Në Komunën Veriore të Mitrovicës, atë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe të Leposaviqit, dje u mbajtën zgjedhjet lokale, mbarëvajtja e të cilave ishte e qetë, paqësore dhe pa incidente. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Policia e Kosovës ishin në krye të detyrës në organizimin dhe ofrimin e kushteve të përshtatshme për ushtrimin e të drejtës për votë. Fushata kërcënuese e orkestruara nga Beogradi zyrtar e e ekzekutuar përmes frikësimit, presionit dhe shantazhit nga instrumentet kriminale në terren ndikuan në dalje të ulët të qytetarëve në këto zgjedhje”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Më tutje, Qeveria potencon se “krahas institucioneve për punën e tyre, falënderojmë qytetarët për kurajën dhe qetësinë”.

”Zgjedhjet janë manifestim i demokracisë, të cilat përveçse e drejtë e qytetarëve, janë obligim e përgjegjësi që burojnë nga kushtetutshmëria dhe ligjshmëria e vendit. Në të njëjtën kohë, janë domosdoshmëri për garantimin e funksionimit normal të institucioneve shtetërore dhe sigurimin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve. Kryetarëve dhe asamblistëve të sapo zgjedhur në këto komuna u urojmë punë të mbarë dhe suksese në detyrat dhe përgjegjësitë e reja. Qeveria e Republikës së Kosovës u ofron mbështetjen e plotë të saj në shërbim të qytetarëve, pa dallim”, thuhet në komunikatë.

Në zgjedhjet lokale në katër komunat veriore kanë marrë pjesë 3.47 për qind të qytetarëve. Lista Serbe që është haptazi e lidhur me Beogradin i ka bojkotuar zgjedhjet lokale të 23 prillit.