Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj pritet që shumë shpejtë të bëjë publike emrat e zëvendësministrave të Qeverisë së Republikës.
Gjatë ditës së djeshme, Indeksonline ka raportuar se ndër emrat e përfolur si zv/ministra janë: Fatmir Matoshi dhe Rexhep Kadriu.
I kontaktuar nga Indeksonline, Arbër Vllahiu nga kabineti i kryeministrit në vend ka bërë të ditur se kanë mbetur edhe disa specifika për t’u diskutuar lidhur me emërimin e zëvendësministrave.
“Procesi i emërimit të zv/ministrave do të përmbyllet shpejtë dhe kjo është një çështje e marrëveshjes ndërmjet partnerëve. Janë edhe disa specifika për t’u diskutuar”, ka thënë shkurt Vllahiu.
Ndryshe duhet përkujtuar që Qeveria e Kosovës tashmë ka gjithsej 21 ministra, ndërsa emrat e vetëm të përmendur deri tani janë zëvendësministrat në Ministrinë e Infrastrukturës si dhe në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Ndryshe siç mëson Indeksonline, Haradinaj pritet që më së largu brenda dy ditëve të bëjë publik edhe emrat e zëvendësministrave të çdo ministrie që i takon qeverisë së tij./Indeksonline/

















