Qeveria e Britanisë së Madhe ka dhënë detaje për takimin që sekretari i jashtëm, James Cleverly, kishte me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Në atë takim është diskutuar për gjendjen në Veriun e Kosovës.
Britania e Madhe ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të ndërmerr masa për de-përshkallëzimin e situatës në Veri.
”Sekretari i Jashtëm, James Cleverly takoi sot në Londër kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për të diskutuar situatën në veri të Kosovës. Sekretari i Jashtëm theksoi nevojën që qeveria e Kosovës të ndërmarrë hapa de-përshkallëzues për të ulur tensionet, duke përfshirë sigurimin që kryetarët e katër komunave veriore të mund të punojnë nga lokacione alternative, largimin e njësive speciale të policisë nga ndërtesat komunale dhe marrjen e hapave drejt zgjedhjeve të reja, gjithëpërfshirëse“, thuhet fillimisht në njoftim.
Më tutje, thuhet se Kosova dhe Serbia kanë përgjegjësi për de-përshkallëzimin e gjendjes në Veri.
”Sekretari i Jashtëm nënvizoi se Serbia dhe Kosova kanë përgjegjësi të veprojnë tani për të de-përshkallëzuar tensionet dhe për të shmangur çdo veprim apo retorikë të mëtejshme nxitëse. Ai e përshëndeti njoftimin për lirimin e afërt të tre policëve të Kosovës të ndaluar më 14 qershor nga forcat serbe të sigurisë si një hap pozitiv përpara“, vazhdon kumtesa.
Duke folur pas takimit, Sekretari i Jashtëm tha se “Mbretëria e Bashkuar ishte vendi i parë që njohu pavarësinë e Kosovës në vitin 2008 dhe mbetet e përkushtuar për të ardhmen e saj si një shtet i pavarur, multietnik në një rajon të qëndrueshëm dhe të begatë“.
”Siç ia kam bërë të qartë kryeministrit Kurti, tensionet e vazhdueshme vënë në rrezik arritjet e arritura me vështirësi në Kosovë gjatë viteve së bashku me Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerët ndërkombëtarë“, përfundon njoftimi