Qeveria anulon vendimin për dhënien e pronës për Trepçën

E publikuar: 26/03/2024 22:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje në mënyrë elektronike, ku ka marrë dy vendime.

Njëri ka të bëjë me shqiptarët në Luginë të Preshevës, ku ekzekutivi ka ndarë 31 mijë euro e 500 euro.

“Vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore për mbështetje të Këshillit Nacional Shqiptar dhe përfaqësuesve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, në vlerë prej 31,530.00 € (tridhjetenjë mijë e pesëqindetridhjetë euro) me qëllim të përkrahjes së aktiviteteve avokuese për çështjen e popullit shqiptar të Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, para institucioneve të Bashkimit Evropian, dhe kompensimit të mjeteve të zvogëluara nga Qeveria e Serbisë përmes ndarjes buxhetore për Këshillin Kombëtar Shqiptar”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Një vendim tjetër është ai për anulimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 14/186 të datës 24 janar, 2024. Ka të bëjë me dhënie në shfrytëzim të një prone në Leposaviq ndaj ndërmarrjes publike ‘Trepça’.

Vendimi i datës 24 janar thoshte: “1. Aprovohet kërkesa me Nr. prot. 439 e datës 22 janar 2024 e Ndërmarrjes Publike ‘Trepça’ Sh.A. për marrje në shfrytëzim të pronës së ngastrës kadastrale me Nr. 3129 Kostin Potok, Majdevo – Leposaviq, pronar Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila menaxhohet nga Agjencia Pyjore e Kosovës”.

“2. Ngastra kadastrale me Nr. 3129 i jepet në shfrytëzim Ndërmarrjes Publike “Trepça” Sh. A. sipas pikës 1. të këtij Vendimi”.

“3. Obligohet Agjencia Pyjore e Kosovës dhe N. P. “Trepça” Sh. A, për zbatimin e këtij Vendimi në përputhje me legjislacionin në fuqi”.