Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), agjenci qeveritare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka bërë të ditur se nuk do të ndajë fonde për Kosovën, derisa qeveria e vendit ta heqë plotësisht dhe pa kushte tarifën ndaj mallrave nga Serbia.
MCC ka lëshuar një komunikatë, në mbrëmjen e së premtes, rreth gjendjes së programeve të saj për zhvillim ekonomik në Kosovë.
“Qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi tarifave të Kosovës ndaj mallrave nga Serbia është i qartë. Heqja e këtyre tarifave do të përmirësojë ekonominë e Kosovës dhe do të ndihmojë në reduktimin e varfërisë, nëpërmjet zhvillimit ekonomik”, thuhet në komunikatën e MCC’së.
Agjencia qeveritare amerikane ka thënë se të pezullojë zbatimin e programeve të saj në Kosovë “derisa të zgjidhet çështja e tarifës”.
“Vendimi për t’i vazhduar programet e MCC’së varet nga veprimet e Qeverisë së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
“MCC shpreson se Qeveria e Kosovës do të vendosë të zgjidhë këtë çështje të tarifës sa më parë, në mënyrë që të vazhdojnë programet. Sapo të arrihet një zgjidhje, MCC do të vazhdojë operacionet e saj”, përfundon komunikata. /Express/