Qeriqi: Është dhënë urdhër të më lëndojnë direkt mua në protestë

E publikuar: 23/06/2015 00:08
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Xhevdet Qeriqi, përfaqësues i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, i ftuar në emisionin “Interaktiv” të KTV-së, ka folur në lidhje me protestën e fundit të veteranëve të UÇK-së.

Qeriqi tha se kemi protestuar në Kaçanik për shkak se nuk kemi pasur mundësi të mblidhemi në Prishtinë.

“Ideja ka qenë që të protestojmë për 24 orë në rrugë, por të mos e bllokojmë lëvizjen e qytetarëve, por vetëm mallrat që futen nga Maqedonia në Kosovë”, ka thënë Qeriqi, raporton Koha.net.

“Këtë e kemi bërë në shenjë pakënaqësie që t’i bllokojmë vetëm mallrat, e jo qytetarët pas publikimit të listave të veteranëve”, ka theksuar Qeriqi.

“Para se të eskalojë situata, Policia ka kërkuar që ta lirojmë një maune të bllokuar nga ne. Mirëpo, unë kërkova që mos e lejonim me asnjë kush kalimin e asaj mauneje. Pas kësaj, më kanë arrestuar dhe ka filluar dhuna e Policisë ndaj nesh”, ka thënë Qeriqi.

“Unë jam lënduar pasi një polic më ka goditur me gju”, ka rrëfyer Qeriqi, ndërsa ka theksuar se është kërkuar nga protestuesit veteranë që të mos përdoret dhunë ndaj policëve.

Qeriqi më tej ka thënë se ka informata se është dhënë urdhër “ose nga ministri i MPB-së ose nga shefi i Policisë që të më lëndojnë direkt mua”. /koha.net/