Edi Rama
Në reagimin e tij lidhur me arrestimin e ish-drejtorëve të bashkisë, por edhe në përgjigje të akuzave të opozitës, kryeministri i kërkoi drejtësisë që të vijojë me hetimin e të gjithë zyrtarëve që përmes posteve që kanë, nxjerrin përfitime të paligjshme.
“Ne jemi në këtë detyrë për të bërë Shqipërinë Europiane 2030 me reforma të vërteta, përpjekje të mëdha, vendosmëri absolute dhe me të gjitha forcat e ekzekutivit, gjyqësorit dhe legjislativit, ku punët janë të ndara e ku lavdi Zotit, popullit që e mbështeti fuqimisht hapjen e rrugës së Reformës në Drejtësi dhe Partisë Socialiste, e cila i hyri detit në këmbë për ta hapur këtë rrugë, tanimë s’jemi më vendi ku për 100 e kusur vite nuk u hetua e gjykua kurrë nga një drejtësi e pavarur, as edhe një person me pushtet politik a lidhje me të”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij “Prandaj qentë le të lehin, Shqipëria do të shkojë përpara, me qeverinë e Partisë Socialiste që do të ecë vetëm përpara, me Drejtësinë e Re që duhet të vazhdojë vetëm përpara, pa i lënë kusur askujt që përdor flamujt e partive, majtas e djathtas, lart apo poshtë, për të nxjerrë përfitime të paligjshme për veten a të afërmit e vet, duke punuar për shtetin me një xhep të dukshëm për të ardhurat nga puna dhe me një xhep të fshehtë për paratë e marra me korrupsion”.