”Qëndron Kastrati i fali banesën familjes së varfër”

E publikuar: 26/09/2017 22:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka ndarë një rrëfim në llogarinë e tij në facebook,  i cili ka të bëjë me Kandidatin e Vetëvendosjes për Kryetar të Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Sipas tij duke qenë se kandidati i VV-së për Kamenicën, është djali i Isa Kastratit, dëshmor i Prishtinës, Komuna para disa vitesh i ndau banesë familjes së tij në kuadër të procesit të ndarjes së banesave për kategoritë e luftës, transmeton Klan Kosova.

Megjithatë sipas Ahmetit, Qëndron Kastrati u ktheu banesën Komunës së Prishtinës me arsyetimin se tani ka të ardhurat e mjaftueshme dhe nuk i nevojitet ajo më. Ahmeti pohon se Kastrati kërkoi që kjo banesë t’i ndahet njërës nga familjet e tjera të kategorive të luftës apo me raste sociale.

Për më shumë ja statusi i plotë i Ahmetit:

”Miq të nderuar e posaçërisht ju qytetarë të Dardanës,

Më duhet të ndaj me ju një përvojë personale të katër viteve të fundit. Qëndron Kastrati ka qenë asambleist në këto katër vite në Komunën e Prishtinës dhe një kohë edhe udhëheqës i asambleistëve të LVV. Kam punuar me të në baza ditore për të mirën e Prishtinës dhe pa hezitim po ju them se është një prej njerëzve më të sinqertë, më të dijshëm dhe më punëtorë që kam takuar. Qëndroni është thjeshtë njeri i mirë, dhe me të kisha me hy në çdo betejë.

Jam gëzuar shumë kur është zgjedh deputet, mirëpo edhe për Kuvend edhe në këto zgjedhje pak jam hidhëruar 🙂 se kam pas dëshirë që ai me vazhduar për Prishtinën.

Qëndroni është djali i Isa Kastratit, dëshmorit të Komunës sonë, dhe është fëmiu më i madh prej 6 fëmijëve të familjes. Prindin e ka humbur në moshë shumë të re, dhe kjo edhe ka shtuar përgjegjësinë e Qëndronit për familjen e tij. Por edhe Qëndroni, sikurse edhe babai i vetë interesin e përgjithshëm e ka vendos para vetës e familjes. Kur më flasin njerëzit që e kanë njohur Isa Kastratin për të, më duket se po flasin për Qëndronin.

Dua ta tregoj edhe një ngjarje që Qëndroni nuk ka dëshirë që unë me e tregu. Para disa viteve, Komuna e Prishtinës i ka nda banesë familjes Kastrati në procesin e ndarjeve të baensave për kategori të luftës. Pasiqë është zgjedhur deputet, Qëndroni e ka kthyer banesën e Komunës, “duke shkruar se tanimë i ka të ardhurat dhe nuk i nevojitet një banesë nga komuna”. Ka kërkuar që kjo banesë ti ndahet familjeve të tjera të kategorive të luftës ose rasteve sociale.

Shpresoj që edhe të tjerët ta përcjellin shembullin e Qëndronit dhe familjes Kastrati.

Me nder e respekt të përhershëm për Qendronin. I uroj zgjedhje për kryetar të Dardanes duke ditur që nga kjo do të përfitojnë vetëm qytetarët e Dardanes.

P.S. edhe pse çdo punë që e kemi bërë në Komunën e Prishtinës e kemi bërë bashkë, dhe ai ka përvojë në reformë, unë zotohem se do ta ndihmojë në çdo reformë në komunën e tij”