Kosova nuk ka ndonjë rrezik të lartë nga grupi militant Shteti Islamik, për shkak se ky grup i sulmon shtetet që kanë ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Florian Qehaja, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë.
Radio Evropa Lirë: Zoti Qehaja, si mund të shihen kërcënimet ndaj Ballkanit, përfshirë këtu edhe Kosovën, përmes një videoje të publikuar javë më parë nga grupi militant Shteti Islamik?
Florian Qehaja: Fillimisht, konsideroj që nuk ka ndonjë rrezik të nivelit të lartë nga grupi i ashtuquajtur ISIS – Shteti Islamik, në Ballkanin perëndimor, për shumë arsye. Arsyeja e parë është që qëllimi i ISIS-it është që t’i sulmojë shtetet, të cilat kanë ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare. Këtu mendoj për shtetet kryesisht perëndimore dhe mendoj që i gjithë ai potencial ushtarak, terrorist, të shprehem kështu, do të mund të përqendrohej në shtetet që mund të arrihej qëllimi – e qëllimi final i ISIS-it është mbjellja e frikës dhe e pasigurisë dhe e pasigurisë te popujt e Evropës dhe më gjerë.
Kështu që, konsideroj që Ballkani, si i tillë e aq më pak Kosova, nuk kanë ndonjë rrezikshmëri të lartë nga ISIS-i. Por, në anën tjetër rrezikshmëria nga këto grupe ekziston në nivel të vogël, për vetë faktin se kemi individë të caktuar nga shtetet tona, të cilët veprojnë në këto vende. Këtu mendoj në një potencial për përdorim të forcës në formë individuale. Do të thotë, kthim të individëve në trevat e Ballkanit dhe po flas konkretisht për Kosovën, ku individë të caktuar, duke përfituar nga “truri i shpërlarë” dhe duke u bazuar në disa premisa të caktuara, mund të përdorin forcën për të shkaktuar panik dhe pasiguri te qytetarët.
Por, unë nuk parashoh që tashmë do të ketë një organizim të atillë që do të sulmohen caqet shtetërore apo grupimet e mëdha të njerëzve në territorin e Ballkanit. Me fjalë tjera, këto incizime unë i shoh si një pjesë të strukturuar të strategjisë së ISIS-it për të mbjellë frikë dhe pasiguri te të gjithë popujt e Evropës, mirëpo në aspektin e përdorimit të madh të forcës – atë forcë që e ka – unë shoh që më shumë ka tendencë që ajo të përdoret te shtetet perëndimore.
Radio Evropa Lirë: Sa mund të jetë efektiv dhe të japë rezultate Ligji për ndalimin e pjesëmarrjes në luftërat e huaja?
Florian Qehaja: Mendoj që ky ligj, realisht, nuk mund ta ndalojë shkuarjen e qytetarëve të Kosovës atje, për arsye se edhe Kodi i tanishëm penal, në njëfarë forme i sanksionon të gjitha veprimet, të cilat do të ndërlidheshin me ekstremizmin e dhunshëm dhe me terrorizmin. Unë mendoj se miratimi i ligjit të tillë është vendim politik, i cili vetëm në një aspekt e mbulon infrastrukturën ligjore për sanksionimin e personave që shkojnë në Siri.
Në aspektin tjetër, ka një impakt media, sepse i është dhënë një pompozitet i madh këtij ligji, por kjo nuk ndalon dhe parandalon shtrirjen e ekstremizmit të dhunshëm në territorin e Kosovës. Konsideroj që janë forma të tjera që kërkojnë angazhim gjithëpërfshirës, të gjithë aktorëve në Kosovë, për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm. Ky është bashkërendim i shtetit me BIK-un (Bashkësinë Islame të Kosovës) dhe me imamë që kanë ndikim në komunitet, pastaj edhe investime të menjëhershme në arsim, kulturë, një kampanjë e gjerë mediale dhe një definim i kundër-narrativës ndaj grupeve ekstreme. Kjo do të kontribuonte në parandalim.
Kurse, ligji, në aspektin e sigurisë e ka një relevancë, por nuk i parandalon qytetarët tanë që t’iu bashkëngjiten grupeve në Siri, e aq më parë nuk ndihmon në deradikalizmin, sepse personat që tashmë janë radikalizuar, do të kërkojnë një qasje tjetër në këtë drejtim. Mirëpo, ajo çka mund të them është që veprimet e shtetit duhet të vlerësohen, për arsye se, edhe pse në segmente të caktuara shtetërore ka pasur një reagim të ngathtë, por në raport me ekstremizmin e dhunshëm ka një organizim dhe një punë në drejtim të identifikimit dhe dekonspirimit të çdo rekrutuesi dhe çdo personi që tenton t’u bashkohet këtyre grupeve ekstreme dhe terroriste. Mendoj se është bërë punë në këtë drejtim, por kërkohet një angazhim më i madh, bashkërendim dhe sidomos bashkëpunim rajonal në sferën e sigurisë, gjë që mungon.
Radio Evropa Lirë: Zoti Qehaja, pjesëmarrja e shtetasve të Kosovës në incidentin në Kumanovë, sa bie ndesh me konstatimet e politikanëve të vendit se Kosova është burim i stabilitetit në rajon?
Florian Qehaja: Unë mendoj që rasti i Kumanovës ia ka dhënë një njollë të zezë Kosovës, për arsye se shteti i Maqedonisë dhe shtetet në rajon kanë bërë një korrelacion, mbase jo të drejtë, në mes eksportimit të Kosovë me luftëtarë në shtetet tjera, në këtë rast në Siri dhe Maqedoni. Me këtë shembull, Kosova tregoi që nuk ishte e aftë që të dekonspirojë dhe në njëfarë forme të veprojë në raport me parandalimin e shkuarjes së qytetarëve tanë atje, ani pse ka një indikacion që organizimi i kësaj implikon persona të caktuar për interesa të politikës maqedonase.
Për ne, në aspektin e sigurisë, është me rëndësi që ta potencojmë që fakti që qytetarët e Kosovës, në një numër të madh, kanë shkuar në mënyrë të organizuar nga Kosova në Maqedoni për t’i shërbyer interesave të caktuara, përbën një precedent të papranueshëm. Si rrjedhojë, Kosova, si një shtet që duhet të marrë përgjegjësi, ka përgjegjësi për mosveprim në këtë rast.
Mendoj se veprimi i shtetit të Kosovës dhe diskursi i elitës tonë politike ka qenë shumë i dobët dhe i paorganizuar. Si rrjedhojë, nuk ka pasur një mesazh të qartë lidhur me këtë situatë dhe kjo ka treguar që shteti ka qenë i papërgatitur në raport me menaxhimin e një situate të tillë, që ka implikime serioze jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe në aspektin e pozicionit të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Radio Evropa Lirë: Pas fillimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duket se veriu i vendit është qetësuar. A është ky stabilitet i brishtë apo po fillon zgjidhja e problemeve atje?
Florian Qehaja: Është një stabilitet, i cili ka elemente të brishtësisë. Është arritur një nivel i stabilitetit, që për krahasim, është më i lartë me atë që ka qenë në të kaluarën, mirëpo është i brishtë, për arsye se po mbahet me injeksione të momentit nga Beogradi. Beogradi ka një vullnet të përkohshëm për të bërë një riorganizim të caktuar në veri të vendit. Do të thotë, që t’i fusë këto struktura brenda sistemit të sigurisë të Kosovës, në njërën anë, kurse në anën tjetër të fitoj pikë diplomatike te BE-ja, në mënyrë që t’i fillojë negociatat me BE-në. Mendoj që nuk mund të jepen garanci që do të ketë qetësi në atë pjesë të vendit, por sigurisht që unë e vlerësoj procesin e integrimit të pjesëtarëve të ish- MUP-it (Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë) në Policinë e Kosovës. Tashmë po shihet në horizont që do të ketë integrim edhe të pjesëtarëve të ish-Mbrojtjes Civile në radhët e strukturave të sigurisë të Kosovës.
Mendoj që kompleksiteti i marrëdhënieve Kosovë- Serbi është aq i lartë, sa që ne mund ta fitojmë stabilitetin e sigurisë, por në anën tjetër nuk e kemi stabilitetin politik në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve. Mendoj se këtu fajin kryesor e ka Beogradi, për arsye se i bën marrëveshjet me qëllim që ta defunksionalizojë shtetin e Kosovës, kurse në anën tjetër bën lobim të caktuar te shtetet e Bashkimit Evropian se, kinse ka arritur një progres të theksuar në marrëdhëniet me Kosovën. Më lejoni të theksoj që, edhe marrëveshjet që janë arritur deri më tash, një pjesë e tyre nuk janë zbatuar.
Kur flasim në aspektin e sigurisë dhe stabilitetit rajonal, Kosovës nuk i është lejuar qasja në iniciativat kyçe rajonale të sigurisë, pavarësisht që kemi marrëveshje në këtë drejtim. Mendoj që ka një diskrepancë në mënyrën se si u është qasur Serbia marrëveshjeve me Kosovën. Ato, të cilat i ka konsideruar si tipike shtetërore dhe ato që e forcojnë subjektivitetin shtetëror të Kosovës, i ka bllokuar dhe këtu mendoj për iniciativat kyçe rajonale të sigurisë.
Kurse, në anën tjetër, ka bërë lëshime në marrëveshjet, të cilat nuk i ka konsideruar që janë me implikime të mëdha në raportet Kosovë – Serbi.
Radio Evropa Lirë: Zoti Qehaja, si shihet qëndrimi i Listës Serbe karshi themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës?
Florian Qehaja: Unë mendoj që çështja e miratimit të amendamenteve kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës nuk është një çështje e izoluar. Ajo është e ndërlidhur me dy procese tjera politike dhe kushtetuese. Është në mes të vendimit për Gjykatën Speciale (për Krime Lufte) dhe vendimit të ardhshëm për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kjo është fatkeqësi, sepse ne nuk arritëm që me kohë ta shtyjmë para projektin për themelimin e Forcave të Armatosura. Kur them “ne”, bazohem në faktin që shumica absolute e qytetarëve të Kosovës janë për themelimin e Forcave të Armatosura, kështu që ka një konsensus të plotë politik të të gjithë faktorëve politik në Kosovë që të ecet me krijimin e Forcës së Armatosur. Aq më parë që Kosovës i ishte bërë e padrejtë me Planin e Ahtisaarit që të mos i jepej komponenta e mbrojtjes. Prandaj, tashmë i kemi këto probleme si rezultat i atij tej-kalkulimi politik nga ana e ekipit të Ahtisaarit.
Nuk shoh në horizont që Lista Serbe ta ndryshojë qëndrimin për ta votuar FAK-un, përveç nëse Serbia do të bëhej pjesë e një presioni të madh ndërkombëtar, ku në njërën anë do ta shtynte procesin e themelimit të Forcave të Armatosura nga ana e Listës Serbe, kurse në anën tjetër do të përfitonte diçka politikisht në raport me Kosovën. Kështu që, unë nuk shoh ndonjë avancim sa i përket miratimit të këtyre amendamenteve përderisa nuk ka ndonjë konsensus politik ndërmjet dy shteteve dhe kjo është fatkeqësi.
Po ashtu, shihet se ka rënë një motiv në Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe kjo po ka refleksione edhe në zbatimin e mandatit ekzistues të kësaj force. Komuniteti ndërkombëtar nuk ka interes që ta shtyjë përpara çështjen e themelimit të Forcave të Armatosura.
Interesi i tyre është që të shtyhen çështjet e Gjykatës Speciale dhe të Asociacionit. Përderisa nuk e kanë në agjendë çështjen e FAK-ut, ata i referohen që “kjo është një çështje e brendshme e Kosovës”. Mendoj se ajo që duhet të bëjë elita jonë politike, është që ta fusë në agjendën ndërkombëtare procesin e FAK-ut dhe ta bindë bashkësinë ndërkombëtare që formimi i FAK-ut është “karotë”, kurse këto dyja ( Gjykata Speciale dhe Asociacioni) potencialisht do ta reflektonin më shumë “shkopin”, në gjuhën diplomatike që përdoret për qytetarët e Kosovës.
Mendoj që kjo “karotë” duhet të imponohet dhe duhet të futet në agjendë nga ana e elitës tonë politike, në mënyrë që të mos ketë vonesa në drejtim të themelimit të Ushtrisë së Kosovës.