Që urrejtja prodhon pafundësisht urrejtje, hakmarrja pafundësisht hakmarrje dhe dhuna pafundësisht dhunë është dëshmuar përmes shkencave psikologji, sociologji, psikoanalizë e kështu me radhë.
Mashtrohet keq çdokush që beson se krishterizmi ekstrem i ka shkaktuar më pak dëme njerëzimit se sa islami ekstrem.
Përkundrazi, krishterizmi ekstrem është prindi i islamit ekstrem që historikisht ka bërë aq shumë nam për të zi, sa që e ka turpëruar me siguri edhe Isusin në varr, nëse ka qenë më të vërtetë aq paqësor, i drejtë, human dhe i dashur siç e përshkruajnë Bibla dhe Kurani.
Në fakt ne nuk mund të jemi të sigurt as që ka ekzistuar Isusi, ashtu siç nuk mund të jemi të sigurt që ka ekzistuar Mohamedi, por kjo nuk ka aq shumë rëndësi, sa ka rëndësi fakti që njerëzimit si duket i duhen profetët e Zotit për t’i furnizuar me besim dhe profeci, ashtu siç j’u duhen fshatarëve të provincës lypsarët rome me strajcat plotë, sepse mbijetesa e parazitëve pa shitje dhe blerje të gënjeshtrave, është shumë e vështirë në këtë botë.
Mirëpo askush nuk e ka pasur forcën për ta ndaluar komplet religjionin në asnjë fazë të historisë vetëm për shkak formave të dhunshme të praktikimit, e lërë më për ta çrrënjosur nga kokat dhe zemrat e besimtarëve paqësor.
Atëherë çka kanë bërë krishterët e mençur ?
Kur e kanë kuptuar se për shkak të formave të dhunshme të besimit nuk mund të prangosen edhe besimtarët paqësor dhe të ndalohet me ligj komplet religjioni, e aq më pak të çrrënjosjet nga kokat dhe zemrat e besimtarëve paqësor, pavarësisht dëmeve që ia kanë shkaktuar njerëzimit të pafajshëm format e dhunshme të praktikimit, atëherë i kanë ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm të veprimit.
Së pari e kanë pastruar Kishën nga ndikimi negativ i Klerit ekstrem, pastaj e kanë çliruar shtetin nga ndikimi negativ i Kishës, e më vonë me ndihmën e shtetit e kanë mbrojtur vetveten nga format e dhunshme të religjionit, si dhe të drejtën për të mos besuar në asnjë formë të religjionit nëse e shohin të arsyeshme.
Sot Kisha në Perëndim nuk është e pa rëndësishme, por jo aq e rëndësishme sa që ta diktojë politikën e shtetit.
Nëse dikush beson se bota krishtere ka fuqi të mjaftueshme politike, juridike, policore dhe ushtarake për ta ndaluar praktikimin paqësor të islamit për shkak të formave të dhunshme të praktikimit, e lërë më për ta çrrënjosur nga kokat dhe zemrat e besimtarëve paqësor besimin në Zot , atëherë mashtrohet keq.
Është detyrë e shtetit që t’i shpallë luftë islamit ekstrem, por pa e nëpërkëmbur për shkak të myslimanëve të dhunshëm dinjitetin e myslimanëve paqësor. E njëjta gjë vlen për format ekstreme të cilitdo religjion.
Islamin mund ta çrrënjosin prej kokave dhe zemrave të tyre vetëm besimtarët paqësor mysliman në momentin që binden se është në tërësi një dogmë e pa dobishme fetare.
Shtrohet pyetja: atëherë çka është e mundur?
Së pari duhet të mësojmë se çka është e pamundur !?
E pamundur është që të ndalohet me ligj besimi në Zot, lopë, macë, qen, mi, orangutan, gorillë, jashtëqitje, jashtëtokësorë, prindër të jashtëtokësorëve, farefis të tyre e kështu me radhë nëse praktikohet në mënyrë paqësore.
E pamundur është të çrrënjosjet islami nga dheu i tokës pa i shfarosur të gjithë myslimanët e botës.
E mundur është që të luftohen, madje edhe që të ndalohen me ligj të gjitha format e dhunshme të praktikimit të besimit.
Shtrohet pyetja : atëherë çka është me rëndësi të veçantë?
Me rëndësi të veçantë është se si të mësojmë një herë e përgjithmonë që të jemi të saktë në diagnozë, sepse vetëm diagnoza e saktë e mundëson terapinë e saktë.
Islami ekziston në këto troje që 600 vjet, ndërkaq islami ekstrem vetëm që dy dekada.
E ka futur në Kosovë politika shoviniste dhe hegjemoniste serbe me ndihmën e klyshve të saj shqipfolës dhe ambasadave turke, ruse, arabe, indoneze, pakistaneze dhe jemenite me seli në Beograd për t’ia dhënë djepit të saj mitologjik imazhin e Kandaharit dhe për ta prishur me aleatët e saj më të rëndësishëm që e kanë krijuar si shtet.
Krejt çka kemi mundësi të bëjmë është që ta pastrojmë islamin nga llumi ekstrem, gjegjësisht radikal.
Mirëpo kjo nuk do të jetë kurrë e mundur nëse i fusim besimtarët paqësor në një thes me besimtarët e dhunshëm, gjegjësisht ekstrem.
Përkundrazi, nëse kështu veprojmë do ta arrijmë efektin e kundërt.
Dhe këtë mezi e presin islamofobet që i përziejnë me qëllim dardhat me molla për ta arritur efektin kontraproduktiv, sepse paguhen për këtë punë prej qarqeve ekstreme politike dhe religjioze.
Ndërkaq këto qarqe ëndërrojnë për një luftë globale ndërmjet krishterimit dhe islamit, sepse njerëzit që i udhëheqin janë klone (duplikate gjenetike) të Adolf Hitlerit.
Në anën tjetër disa shqiptarë të obsesionuar me këtë temë, janë shndërruar me kalimin e kohës në kritikë të njëanshëm kujdestar dhe aq e ndjejnë vetën mirë kur dikush i gënjen se po shkëlqejnë si analistë, sa që ma japin përshtypjen se natë e ditë e lusin Zotin “Zgjate Zot” edhe pse bëjnë be në komb dhe flamur që si besojnë.
Rrjedhimisht ma japin gjithashtu përshtypjen se s’janë aspak të interesuar për pastrimin e islamit nga llumi ekstrem, gjegjësisht radikal, e aq më pak për çrrënjosjen e tij nga kokat dhe zemrat e besimtarëve shqiptar, si dhe për çrrënjosjen e tij nga dheu i Kosovës, Ilirides dhe Shqipërisë.
Dhe a e dini pse ?
Sepse s’mund ta imagjinojnë jetën pa këtë temë, e aq më pak kur disa dhjetëra lexues të tyre keqdashës i motivojnë të njëjttit vazhdimisht dhe me qëllim për ta vazhduar hobin e tyre, duke i gënjyer se po shkëlqejnë në analizë.
E në fakt idhujt e tyre pseudo analistë po e përziejnë gjakun me urinë, si veshkat e nevojshme për dializë.
Se a paguhen këta njerëz prej dikujt për këtë punë nuk e di dhe as që dua të besoj.
Por një gjë është e sigurt :
Bëhet fjalë për njerëz që prodhojnë kritika me tonelata, ndërkaq diagnozë dhe terapi të saktë pothuajse asnjë miligram.
Dhe a e dini pse?
Sepse nuk janë të interesuar për zgjidhjen paqësore të problemit, por për vazhdimin e hobit të tyre të preferuar pa të cilin s’mund ta imagjinojnë jetën.
Fatkeqësisht, kur hobi shndërrohet në urrejtje, urrejtja në obsesion, ndërkaq arsyeja e shendoshë në farë të molles nga konsumimi i tepruar i Whiskey-Coles, atëherë rezultati është pikërisht ky.
Zënkat dhe ngatërresat ndërmjet krishterëve dhe myslimanëve të krisur për gjërat më banale dhe utopike që i njeh historia e njerëzimit ma përkujtojnë një tregim që ma ka treguar gjyshi në fëmijëri :
Kishin jetuar dy vëllezër të varfër në një kasollë në afërsi të pyllit. Një natë yjet kishin shkëlqyer më shumë se sa zakonisht dhe e kishin zgjuar kërshërinë dhe kreativitetin e vëllait të madh. E kishte ftuar te dritarja vellain e vogël për ta ndarë me të fascinacionin për panoramën idilike në qiell.
Biseda ishte zhvilluar përafërsisht kështu:
Shpendi : Ah sikur te ishin yjet delet e mia.
Visari : Ah sikur te ishte qielli livadhi im kurrë s’do t’i lejoja delet e tua m’e kullot bar.
Shpendi : Por unë i kisha fut në livadhin tënd pa t’ pyt fare.
Visari : I kishe fut hamamin e Hyrës, t’i kisha dhënë shtatëdhjetë grushta fytyrës.
Shpendi : Kujt ia kishe dhënë, bre ta bëfsha ta kthefsha.
Dueli zgjati deri në nokaut, e edhe më saktësisht deri sa j’u tha Aida : Rrini urt, mos hani m…!
Shpresoj që s’ju kam shkaktuar aq shumë Deja Vu (dezhavy), sa që t’i harroni inicialet e mbiemrave të protagonistëve të përrallës që janë A dhe Y.