Qe 15 vjet vuaj për mashkull

E publikuar: 22/01/2016 00:41
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në vitin 2000 fitova të drejtën për studime në Universitetin e Prishtinës. Shkollën e mesme e pata kryer në Kaçanik. Edhe pse atje kisha shumë ngacmime nga meshkujt, dëshira ime ishte të studioja dhe të largohesha nga ai qytet.

Ishte e diel. Unë u përgatita për të ardhur në Prishtinë. Për herë të parë largohesha nga familja. Nuk di pse ndjeja frikë, ankth dhe zemra më rrihte fort, sikur do më dilte nga kraharori. Shpesh i thosha vetes: “Qetësohu se nuk do të ndodhë asgjë”. Ndoshta e kisha këtë frikë për shkak të jetesës sime në një tjetër ambient, me shoqëri krejtësisht ndryshe nga ajo që kisha pasur. Ndoshta frika ime lidhej edhe me menaxhimin e parave, pasi nuk isha marrë më parë me këtë gjë.
Dhe, ditën e parë të studimeve u njoha edhe me vajzat me të cilat do t’i ndaja ditët e mia në konvikt. Në impaktin e parë, asnjëra prej tyre nuk më pëlqeu. Kur hyra brenda,vetëm njëra më pëlqeu dhe në atë çast po mendoja: “O Zot, të lutem, më ndihmo të jetë edhe kjo vajzë në një dhomë me mua”. Gjatë një diskutimi të shkurtër doli që ajo ishte nga një fshat i komunës sime dhe ishim caktuar në të njëjtën dhomë.
“Sa mirë, të paktën, e kam një vajzë me të cilën mund të rri”, thash me vete.
Të martën nuk kishim mësim, sepse ishte festë. Ime shoqe më ftoi të dilnim në kafe. U ulëm në një lokal afër fakultetit. Pasi porositëm diçka për të pirë, erdhi kushëriri i saj. Ime shoqe e prezantoi. Në momentin kur ai më takoi, ma shtrëngoi dorën fort, duke më thënë: “Mua më quajnë Edi!”. Në pamje të parë nuk më pëlqeu, por kur buzëqeshte, diçka ndodhte brenda meje. Ai vazhdonte me batutat e tij “sa serioze që jeni!” dhe sa vinte e tensioni shtohej. Po ndihesha në siklet pasi mendova se mos ai kishte ardhur aty enkas për mua, por nga biseda që bënin ata dy, e kuptova që ishte rastësi.
Gjithsesi, diçka nuk shkonte dhe unë nuk po ndihesha mirë, prandaj vendosa të largohesha, me pretekstin se kisha punë. E pash që ime shoqe u mërzit, ndërsa Edi vazhdonte të qeshte, e kjo gjë vazhdonte t’më acaronte.
Edhe ditëve të tjera ai shpesh na bënte shoqëri në kafe dhe kjo gjë nuk më pëlqente dhe mundohesha t’i shmangesha, por më vonë u bë pjesë e këtyre kafeve.
Mesazhi i parë
Mbrëmjeve kënaqeshim shumë. Një mbrëmje ai na përcolli deri te dera e konviktit, rrinte pranë meje dhe vura re që nuk donte të shkonte në shtëpi, madje insistonte të qëndronte edhe pak. Ne u ngjitëm lart, kur në telefonin tim erdhi një mesazh: “Sa e mirë ishe sot! Të pres përpara fakultetit nesër”.
E lexova një herë, dy herë, e lexova shumë herë… Nuk dija çfarë të bëja. Vendosa të shkoja. Pasi mbarova mësimin, po qëndroja përpara fakultetit dhe po prisja, por nuk dukej askund. Ndërkohë, në telefonin tim një mesazh: ishte ai. Më tha se më priste në lokalin ku ishim takuar për herë të parë.
Puthja e parë
Posa arrita në lokal, ai shpejt u ngrit nga karrigia ku ishte ulur, m’u afrua afër dhe pa një e pa dy më puthi.
M’u mbushën sytë me lot dhe i thash vetes: “Si u tregova kaq naive!”. E shtyva me forcë dhe u largova.
Pas pak ai më telefononte pa pushim, por unë nuk e hapja, derisa një ditë më ndaloi në rrugë dhe më tha: “Të dua! Pse nuk e kupton që unë të dua?!”. Kur pash sytë e tij mbushur me lot, nuk i rezistova dot dhe e përqafova fort. Dilnim çdo ditë, shijonim paraditen të dy, shëtisnim bashkë, si dhe më shoqëronte kudo që shkoja.
Edi tashmë ishte bërë një engjëll mbrojtës për mua. Një ditë po më përcillte për në konvikt, edhe pse nuk doja të largohesha prej tij, sepse ndjeja sikur nuk do ta takoja më, madje po i thosha: “Zemër, të lutem, qëndrojmë edhe pak, më duket sikur nuk do të të takoj më”. Ai qeshi e nuk foli asnjë fjalë.
U largova e brengosur dhe me kokën mbrapa, sepse e ndjeja që nuk do e shihja më. Edhe pse arrita në konvikt, ajo që ndieja më shtyu t’i bija telefonit të tij dhe ai nuk po më përgjigjej. U bëra merak dhe i rashë përsëri, kur papritur me erdhi një mesazh: “Më fal, nuk mundesha të ta thosha, por unë po shkoj shumë larg… Lidhja jonë këtu mbaron, por dije që unë të dua dhe do të të dua gjithmonë”.
Iku shkaku i problemeve në familje
Gjithçka u shemb përpara syve të mi, nuk mund ta besoja, vazhdoja t’i bija telefonit, por asgjë! Kushërira e tij nuk dinte asgjë për lidhjen tonë dhe unë isha e detyruar t’i tregoja, pasi ajo duhej të dinte diçka për këtë ikje të tij kaq të papritur. Edhe ajo u habit shumë. Më tha: “Po të kishe biseduar me mua, unë nuk do të të kisha lënë të lidheshe me kushëririn tim. Ai është djalë shumë i mirë, por ka qenë i detyruar të emigrojë shkaku i një problemi në familje”.
Pas një viti rashë në telefonin e tij. E mora në telefon dhe fola me të. Zemra më rrihte fort. Nuk mund t’i flisja, vetëm i thash “pse më lë?” dhe shpërtheva në lot. Kuptova se edhe ai u prek shumë dhe më tha se kishte nevojë të ikte… I thash: “Po të jetë edhe dashuria jote e fortë, ashtu si është e imja për ty, do t’i rezistojmë largësisë dhe do të bashkohemi sërish bashkë”, por nga biseda që bëra me të kuptova se ai nuk donte t’më mbante peng.
Nuk deshi t’më mbante peng
Ai më sqaroi fare mirë se “unë nuk dihet kur kthehem dhe nuk dua të jetoj duke menduar se dikush më pret mua”. Që prej asaj dite nuk komunikova më me të. Kuptova se dashuria e tij për mua nuk ishte e njëjtë si e imja. Unë isha gati të sakrifikoja për të, duke e pritur, por kjo nuk u realizua asnjëherë.
Tash kanë kaluar vite e vite prej ndarjes me të dhe unë kam shumë frikë të nis një lidhje tjetër. Frika dhe ankthi se mund të dështoj përsëri më ka mbërthyer dhe nuk më lë të përjetoj një dashuri të vërtetë. Ndoshta ai tashmë ka krijuar një tjetër jetë, ndoshta është i lumtur… ndërsa unë vazhdoj të vuaj për të… /Kosovarja/