Qalaj: Do ta detyrojmë shumë shpejtë partinë e cila siguruar më së shumti vota të merr një iniciativë për marrëveshje politike

E publikuar: 05/07/2025 11:14
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj tha se do ta detyrojnë shumë shpejtë Lëvizjen Vetëvendosje, Alternativën dhe Lëvizjen Guxo që ta merr një iniciativë për marrëveshje politike, që të dilet nga kjo situatë.

Para fillimit të seancës konstituive për herë të 42-të, Qalaj tha se Gjykata Kushtetuese duhet të sqarojë më mirë vendimin e marrë para disa ditësh sa i përket konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

“Kushtetuesja duhet të sqarojë më mirë vendimin që e ka marrë para disa ditësh. Dhe besoj që t’i jep kahje ofrimit të institucioneve të Kosovës. Kjo situatë që është vendi kërkon me urgjencë që të zhbllokohet sa më shpejtë…Besoj që do ta detyrojmë shumë shpejtë partinë e cila siguruar më së shumti vota apo koalicionin që të merr një iniciativë për marrëveshje politike në mënyrë që të dalim nga kjo situatë”, tha Qalaj.

Qalaj shtoi se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk ka dhënë sqarime se cilat janë pasojat juridike nëse nuk konstituohet kuvendi edhe në afatin e përcaktuar në aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese.

Qalaj theksoi se shtyrja e konstituimit të kuvendit është një dëm i madh për vendin.

“E kam dëgjuar presidenten. Mendoj se nuk ka dhënë sqarime se cilat janë pasojat juridike. Pasoja më e madhe është për qytetarët e Kosovës, përtej atyre juridike. Për shkak se Kosova është duke u dëmtuar mjaftë shumë. E dini që Kosova është në humbje të disa fondeve që duhet t’i merr nga Bashkimi Evropian dhe çdo shtyrje e konstituimit të kuvendit është një dëm i madh për vendin”, potencoi Qalaj.

Sot pritet të mbahet seanca konstituive për herë të 42-të./Z.Zeneli/