​PZAP ndëshkon sërish Listën Serbe për shkelje gjatë fushatës

E publikuar: 25/12/2025 14:10
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka ndëshkuar sërish Listën Serbe, me gjobë prej 30 mijë eurove për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore, raporton KosovaPress.

Ndëshkimi i PZAP-së vjen pas ankesës së parashtruar nga partia “Kosovski Savez” kundër Listës Serbe të cilën e vlerësoi si të mbështetur në dëshmi të qarta dhe bindëse.

PZAP vlerësoi se Lista Serbe ka vepruar në kundërshtim me rregullat e fushatës dhe detyrimet ndaj kandidatëve, duke vendosur materiale promovuese në hapësira publike në veri të Kosovës, kryesisht në Leposaviq.

Si pasojë, ky subjekt politik është gjobitur me 30 mijë euro dhe është urdhëruar që menjëherë të largojë të gjitha posterat dhe materialet zgjedhore që lidhen me shkeljen.

PZAP ka ritheksuar se respektimi i Kodit të Mirësjelljes është thelbësor për garantimin e një procesi zgjedhor të drejtë dhe të ndershëm.

Lista Serbe ishte ndëshkuar edhe më parë, me 22 mijë euro: 20 mijë euro për shkeljet që i ka parashtruar te PZAP subjekti i njëjtë politik “Kosovski Savez”, ndërsa dy mijë euro për shkeljet që i ka raportuar në PZAP subjekti politik Lëvizja Vetëvendosje.