Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin miratoi një doktrinë të re të politikës së jashtme të bazuar në konceptin e një “bote ruse”, një nocion që ideologët konservatorë e kanë përdorur për të justifikuar ndërhyrjen jashtë vendit në mbështetje të rusishtfolësve.
“Politika humanitare” prej 31 faqesh, e botuar më shumë se gjashtë muaj pas luftës në Ukrainë, thotë se Rusia duhet “të mbrojë, ruajë dhe avancojë traditat dhe idealet e botës ruse”.
“Federata Ruse ofron mbështetje për bashkatdhetarët e saj që jetojnë jashtë në përmbushjen e të drejtave të tyre, për të siguruar mbrojtjen e interesave të tyre dhe ruajtjen e identitetit të tyre kulturor rus”, thuhet në të.
Aty thuhet se lidhjet e Rusisë me bashkatdhetarët e saj jashtë vendit e lejuan atë të “forconte në skenën ndërkombëtare imazhin e saj si një vend demokratik që përpiqet të krijojë një botë shumëpolare”, shkruan Reuters, transmeton Klankosova.tv.
Putin prej vitesh ka nxjerrë në pah atë që ai e sheh si “fatin tragjik” të rreth 25 milionë rusëve të cilët e gjetën veten duke jetuar jashtë Rusisë në shtetet e reja të pavarura kur Bashkimi Sovjetik u shemb në vitin 1991, një ngjarje që ai e ka quajtur një katastrofë gjeopolitike.
Rusia ka vazhduar ta konsiderojë hapësirën ish-sovjetike, nga Balltiku në Azinë Qendrore, si sferën e saj legjitime të ndikimit, një nocion i rezistuar ashpër nga shumë prej atyre vendeve, si dhe nga Perëndimi.
Politika e re thotë se Rusia duhet të rrisë bashkëpunimin me kombet sllave, Kinën dhe Indinë dhe të forcojë më tej lidhjet e saj me Lindjen e Mesme, Amerikën Latine dhe Afrikë.