Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, thotë se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara e ndajnë “agjendën e përbashkët” në shumë fusha, dhe se Moska është e përgatitur të punoj me secilin që zgjedhet president i Shteteve të Bashkuara, në nëntor të vitit 2016.
Mëtutje, në intervistën për Televizionin shtetëror rus, të transmetuar sot, zoti Putin tha se të dy vendet duhet të bashkëpunojnë në sferat, siç janë, luftimi i zgjerimit të armatimit për shkatërrim masiv, terrorizmi dhe krimi i organizuar.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia duhet të bëjnë më shumë që ekonomia globale të shndërrohet në më tepër “demokratike, stabile dhe e balancuar”.
Megjithatë, Putin ka theksuar se të dy shtetet kanë “mospajtime në një numër të fushave” dhe i ka kritikuar Shtetet e Bashkuara për tërheqjen e njëanshme në vitin 2002, nga Marrëveshja kundër raketave balistike, e vitit 1972.
Aktualisht, Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kanë ndërmarrë sanksione ekonomike kundër Rusisë, për shkak të aksioneve të saj në Ukrainë, përfshirë edhe aneksimin e Krimesë së Ukrainës, në muajin mars të vitit të kaluar.