Presidenti Vladimir Putin ka thënë se Rusia do t’i arrijë të gjitha objektivat e saj me forcë nëse Ukraina nuk pranon një marrëveshje.
“Më duket se nëse mbizotëron arsyeja e shëndoshë, do të jetë e mundur të biem dakord për një zgjidhje të pranueshme për t’i dhënë fund këtij konflikti.Nëse jo, atëherë do të na duhet t’i zgjidhim të gjitha detyrat tona ushtarakisht”, tha Putin, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.
Ai vlerësoi “dëshirën e sinqertë” të Donald Trump për të gjetur një zgjidhje – një ditë pasi presidenti amerikan tha se ishte “i zhgënjyer” nga Putini, pas sulmeve të Rusisë në Ukrainë që nga samiti i tyre në Alaskë.
Trump është përpjekur ta bindë Putinin të takohet me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, por udhëheqësi rus nuk ka pranuar ta bëjë këtë.
“Nuk e kam përjashtuar kurrë mundësinë e një takimi të tillë. Por a ka ndonjë kuptim? Le ta shohim”, tha ai.
Ai shtoi se çdo takim i tillë kërkonte përgatitje paraprake për të dhënë rezultate dhe se Zelensky mund të shkonte gjithmonë në Moskë për ta takuar atë – një ide “me vetëdije të papranueshme”, siç e theksoi shpejt ministri i jashtëm i Ukrainës.


















