Korrigjimi i kufijve me Serbinë do të jetë temë diskutimi në dialogun Kosovë-Serbi.
Një ditë para takimit të së premtes me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, presidenti Hashim Thaçi ka paralajmëruar se temë diskutimi do të jetë edhe korrigjimi i kufijve.
Por, kur u pyet nga KTV-ja për këtë, presidenti nuk dha përgjigje. Edhe pasi dolën së bashku me kryeministrin Haradinaj, nga aktiviteti i shënimit të 19 vjetorit të themelimit të Policisë, as Thaçi e as Haradinaj nuk dhanë qëndrime për këtë.
Afërsia e kryeministrit me presidentin u tregua kur që të dy u larguan me të njëjtën veturë.
Ndërkaq, gjatë “Konferencës së Pestë të Ambasadorëve”, të organizuar nga Ministria e Jashtme, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është e gatshme që ta bëjë korrigjimin e vijës kufitare me Serbinë.
Edhe një herë tjetër, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, zërat për ndarje të Kosovës i ka quajtur prorusë dhe proserbë.
Por, ndryshe nga Presidenti, kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se vendi duhet ta arrijë një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me Serbinë, me kufijtë aktualë të Republikës së Kosovës.
Të premten, të dy presidentët, ai Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut mes dy shteteve.


















