Mbyllja e pikës së ‘Al Petrol-it’ në Shupkovc të Mitrovicës natën e Bajramit, është shoqëruar edhe me zhvillime të papara, pasi që punëtorët janë mbyllur në zyre me çelës dhe u janë marrë telefonat.
Pesë ditë pas kësaj ngjarje, sot punëtorët kanë dalë para pompës që të protestojnë në mënyrë simbolike, pasi që 10 familje kanë mbetura pa kafshatën e gojës, shkruan portali Veriu.info.
Punëtori Sami Musa, i cili në atë natë kishte qenë në ndërrim, rrëfen momentet e çuditshme që kishin ndodhur, duke shprehur habinë pse nuk është mbyllur pompa në mënyrë të zakonshme, pasi që s’ka pasur asgjë të fshehet.
“Latif Kryeziu me disa persona nanë ardh kah ora 1:10 e natës, ku fillimisht kanë thanë se po e bëjnë një barazim dhe na i kanë marrë çelësat e dollapave ku i kemi pasur telefonat dhe kështu s’kemi pasur qasje ne telefona. Pra, në një formë na i ka konfisku telefonat dhe një truprojë e tyre i ka marrë edhe çelësat e zyres dhe e ka mbyll derën e zyrës dhe tonë kohën ka nejt para dere, derisa ne kemi qendruar të mbyllur pa parë çka po bëhet jashtë. Madje, tërë kohën drita u kanë e fikur edhe pse ka pasur rrymë dhe vetëm me një telefon me dritë kena nejt, ku në zyre na kanë mbajt Latif Kryeziu me Fehmi Beranin dhe një tjetër me emrin Tonin, i cili ka nejt mrena me neve. Menjëherë pasi që na kanë mbyll mrena, kanë ardh do kerre dhe do vinça me nja 40 persona dhe ja kanë nis me çdo kusht krejt me shkatërru. E kanë marrë agregatin i kanë hjek pompat, i kanë hjek reklamat, e kanë marrë mallin dhe gjatë asaj kohe për 1 ore e gjysmë e kanë ba në këtë gjendje objektin e pompës. Në vend se me i gëzu punëtorët në natën e Bajramit ata i ka lanë dhjetë familje pa kafshatën e gojës, ku na ka mbet edhe borxh dy rroga”, thotë për Veriu.info punëtori Sami Musa.
Ai tregon se disa sende që ata i kanë marrë kanë qenë të punëtorëve, të cilat ‘Kosova Petrol-i’ ua kaishte lënë si kompenzim për pagat e mbetura borxh. “Për këtë arsye edhe i kanë marrë edhe ish punëtroët e ‘Kosova Petrol-it’ në punë, sepse ai nuk i kish marrë hiq. Këtu është fjala për një reklamë të madhe, do kompjutera dhe do sene tjera, ndërsa reklamën e kanë kthyer të nesërmen edhe pse e kanë marrë me rastin e mbylljes së pompës” tregon Sami Musa.
Bashkë me Sami Musën në zyren rreth 5 m2, kishte qendruar edhe punëtori Besim Brahimi, të shoqëruar edhe nga Latif Kryeziu, Fehmi Barani dhe një truproje.
“E kam ndi vetën pak te stresum se ka qenë ora 1 e natës dhe kjo s’ka ndodh asnjëherë ma herët me ba barazim në atë kohë, përveç kontrollave që kanë ardhur kohë pas kohe. Pastaj kanë ardhur edhe policia dhe ma kanë marrë emrin policia, dhe pastaj kam dhanë deklaratë për ngjarjen që ka ndodh. Ndërsa të nesërmen kam dërgju që u mshel edhe një pompë e ‘Al Petrol-it’ në Istog”, tregon për Veriu.info punëtori besim Brahimi.
Ndryshe, natën e Bajramit kompania ‘Al Petrol’ kishte mbyllur pikën e shitjes në Shupkovc të Mitrovicës, të cilën e kishte marrë me qera nga AKP-ja. Punëtorët e kishin akuzuar se u ka marrë edhe mjetet e punës të cilat atyre ua kishte dhënë Bedri Selmani i ‘Kosova Petrol-it”, si kompenzim për rrogat e mbetura borxh. Pas raportimit të këtij rasti, ‘Al Petrol-i’ kishte filluar kthimin e këtyre gjësendeve, ku fillimisht ka kthyer reklamën e objektit, e cila e dëmtuar është hedhur para objekti./Veriu.info/