Nga dhjetori fillon implementimi i Ligjit për Pagat në sektorin publik, ku janë të përfshira edhe ndërmarrjet publike.
E këtë javë, për zbatimin e këtij ligji, është njoftuar edhe Telekomi i Kosovës, raporton KTV.
Bordi drejtues ka marrë një e-mail nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ku thuhet se në hartimin e planit të biznesit për vitin 2020, të gjitha ndërmarrjet publike duhet të inkorporojnë edhe Ligjin për Paga.
E me një vendim të tillë nuk po pajtohen sindikatat e Telekomit.
Lamih Balaj nga kjo sindikatë thotë se Ligji i Pagave nuk duhet të zbatohet në këtë ndërmarrje për shkak se ajo është vetëfinancuese.
Ndërkaq, kryeshefi ekzekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, tregon se kanë formuar një komision brenda ndërmarrjes, që ta shqyrtojë aplikimin e Ligjit të Pagave.
Tutje, Istrefi thotë se në bazë të ligjit do t’i ndajnë edhe pozitat në Telekom, që të mos ketë edhe manipulime si ka pasur më herët.
Bazuar në Ligjin për Pagat, që është miratuar në shkurt të vitit 2019, ndërmarrjet publike miratojnë nivelet e pagave të punonjësve brenda koeficientit 1 deri në 7. Sipas kësaj, paga më e madhe në Telekom i bie të jetë 1673 euro.