Punëtorët e RTK-së kërkojnë sot drejtësi para Kuvendit

E publikuar: 10/11/2025 09:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radios së Kosovës kanë paralajmëruar protestë të punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës, e cila do të mbahet sot në ora 11:00, para ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Protesta organizohet si reagim ndaj mosreflektimit të institucioneve përgjegjëse për transferimin e pjesës së dytë të buxhetit të RTK-së për vitin 2025, ndonëse përbën detyrim ligjor për ekzekutim.

Sipas sindikatave, vonesat në transferimin e mjeteve buxhetore kanë krijuar një situatë të rëndë financiare për punëtorët e RTK-së, duke rrezikuar seriozisht mirëqenien e tyre dhe funksionimin normal të transmetuesit publik.
Në njoftim, Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radios së Kosovës u bëjnë thirrje të gjithë punëtorëve të institucionit, përfaqësuesve të mediave dhe qytetarëve që besojnë në të drejtën për informim të pavarur, të bashkohen dhe të mbështesin këtë protestë paqësore.