Për t’u punësuar në Komunën e Prishtinës nevojitet librezë partiake që e ka vulën Lëvizja “Vetëvendosje”. Në dy konkurset e fundit, që janë shpallur nga Komuna, kandidatët më të mirë në mesin e dhjetëra garuesve kanë dalë të jenë pjesëtarët e Lëvizjes “Vetëvendosje”.
Zyrtar i lartë për arsimin e mesëm të lartë, në kuadër te Drejtorisë së Arsimit, është përzgjedhur anëtari i LVV-së, Hajzer Idrizi. Ai ka qenë kandidat për kryetar të Klinës në zgjedhjet lokale të vitit 2013, ku kishte arritur të marrë rreth 600 vota.
Rezultati për përzgjedhjen e tij është bërë i ditur më 24 qershor në uebfaqen e Komunës së Prishtinës. Konkursi është realizuar pas pesë muajve, pasi që ai ishte shpallur më 27 janar 2015 për të dytën herë, ngase herën e parë kishte dështuar në mungesë të kandidatëve të suksesshëm shkruan zeri.
Të njëjtën ditë, më 24 qershor, Komuna e ka shpallur edhe rezultatin e konkursit “Zyrtar i lartë për planifikim dhe zhvillim”, në kuadër të Drejtorisë së Urbanizmit. Në këtë pozitë është përzgjedhur pjesëtari i LVV-së, Arber Hamidi, i cili po ashtu ka qenë i punësuar në Komunë, me kontrate mbi vepër. Ish-kandidati për kryetar të Klinës, Hajzer Idrizi, nuk ka dashur të japë asnjë shpjegim lidhur me atë nëse i ka plotësuar kushtet të cilat janë kërkuar me konkurs. “Nuk mund t’u them asgjë. Për këto gjera bisedoni me Komunën e Prishtinës”, ka thënë Idrizi.
Asnjë sqarim nuk kanë dashur ta japin as në Komunën e Prishtinës lidhur me dy punësimet e fundit.