Punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës, të shtunën kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës për të kërkuar që të lejohet tërheqja e një pjese të Trustit Pensional.
Nënkryetari i Sindikatës së Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Lumnica, ka thënë se tërheqja e një pjese të trustit është më se nevojshme në këtë kohë.
Ai duke iu bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, që të kalohet ky projektligji, i cili mundëson tërheqjen e 10 % të kursimeve, ka paralajmëruar edhe protesta të tjera.
“Kërkesa jon ka qen permanente që nga fillimi i projektligjit që ka hyr edhe trusti në atë projektligj, ne kemi kërkuar që të miratohet ligji për trustin, për një pjesë së tërheqjes së trustit, për arsye se janë kohë shumë të vështira dhe gjendje jashtëzakonisht e rëndë ekonomike…I bëjmë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës të gjejnë një gjuhë të përbashkët që të kalon ligji për tërheqjen e një pjese të trustit, për arsye se kur po kanë interesa të veta personale ata po din të bëhen bashkë dhe të votojnë….Sot ishte vetëm një protestë simbolike, mirëpo herëve tjera nuk besoj se do të jetë kështu”, ka thënë ai.
Të njëjtin mendim ndan edhe ish sindikalist i punëtorëve të KEDS, Rashit Gashi.
“Kom dal që të përkrahi Sindikatën e re të KEK-ut, si një i papunë por mbi 13 vite kontribut dhënës në trustin pensional të Kosovës. Këto mjete janë më së të nevojshme për mirëqenien e secilit qytetarë, e aq më shumë për neve që punojmë në institucione tjera publike-private, e që nuk e kemi pasur ndihmën e Qeverisë”, ka thënë ai.
Në përkrahje të kësaj proteste, ishte edhe Kryetari i Shoqatës Termocentrali Kosova B, Muharrem Gashi, i cili ka thënë se deputetet duhet të gjejnë një gjuhë të përbashkët që të kalon ligji për tërheqjen e një pjese të trustit.
Qeveria Hoti ka propozuar që në projektligjin për rimëkëmbje ekonomike të përfshihet mundësia që qytetarët të tërheqin 10 për qind të mjeteve në Fondin Pensional. Megjithatë, projektligji s’ka arritur asnjëherë të marrë shumicën në Kuvend./Q.Rexhaj/