“Puç” për ta rrëzuar Qeverinë, Osmani: Do t’i drejtohem Gjykatës që më akuzuan për bashkëpunim me Vuçiqin e Serbisë apo Rusinë

E publikuar: 07/04/2026 23:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pyetur sot në lidhje me akuzat që i janë bërë nga VV se ajo i kishte bërë një “puç” për ta rrëzuar Qeverinë bashkë me opozitën apo Edi Ramën.

Ajo e ka mohuar këtë në Pressing, ndërsa tha se nëse do të donte ta rrëzonte Qeverinë nuk do të kërkonte të rizgjidhej si Presidente. Sipas saj, rizgjedhja e saj në krye të shtetit, i garantonte VV-së 51% e jo ndërprerjen e saj.

“Nëse do të kisha plane tjera, fare nuk do të merresha me Presidencën. Sikur të kisha plane tjera do të kandidoja edhe në zgjedhjet e dhjetorit, apo do të insistoja të mos respektoheshin afatet kushtetuese por të jepeshin edhe 60 ditë siç kërkonin në mënyrë kundërkushtetuese, ashtu që të bëhej një gjë e tillë”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë se për akuzat që i janë bërë për bashkëpunim me Aleksandër Vuçiqin e Serbisë apo Rusinë, do t’i drejtohet Gjykatës.

”Me komentues nuk merrem, por me ata që janë sot në politikë por më kanë akuzuar padrejtësisht për pjesëmarrje në situata të tilla, do të merrem në Gjykatë deri në frymën e fundit”, ka thënë ajo.