Sektori i hetimeve në kuadër të Policisë së Kosovës ka siguruar fotografi dhe video të të dyshuarve të cilët kishin kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë në janar të këtij viti.
Përmes një postimi në Facebook, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ndonëse ka siguruar fotografi dhe video të të dyshuarave, deri tani nuk ka rezultuar në identifikim e tyre.
“Sektori i hetimeve ka bërë përpjekje maksimale në ndriçim të veprës penale dhe ka siguruar fotografi dhe video të dyshuarave, mirëpo deri tani nuk ka rezultuar në identifikim e tyre.
Andaj Policia e Kosovës – Stacioni Policor në Prizren, bazuar në ligj për publikimin e fotove me shënime tjera të personave të kërkuar me Autorizim të Prokurorisë Themelore në Prizren, me qëllim identifikimit, lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tyre, lëshon kërkesë për bashkëpunim me qytetarët”, shkruan në postim.
Më 31 janar të këtij viti, të dyshuarit kishin vjedhur para në shumë prej 6 mijë eurosh nga xhepi i një qytetari.Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për identitetin apo vendndodhjen e personave të dyshuar në fotot e publikuara, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.