10 milionë euro. Kaq është shuma e parave që Posta dhe Telekomi i Kosovës i kanë dhënë dividendë për këtë vit Qeverisë së Kosovës.
Tribuna Channel ka arritur të siguroj një kopje të vendimit të cilin e ka nënshkruar Rexhë Gjonbalaj, kryesues i Bordit të Drejtorëve të PTK-së.
Ndonëse Ministria e Financave kishte paraqitur kërkesë për pagesë të dividendës në vlerë prej 30 milionë euro, kjo nuk ishte e mundshme pasi që PTK është në fazën e realizimit të Investimeve Kapitale në përputhje të plotë me Biznes Planin 2015-2019, investime në projekte të ndërlidhura me teknologjitë me të reja në telefoninë mobile të njohura si teknologjitë 3G dhe 4G/LTE dhe investime në projekte në telefoninë fikse.
Investimet në këto teknologji të reja janë paraparë në shumë fillestare prej 35 milionë euro dhe në kuadër të këtij projekti janë paraparë edhe 14.5 milionë euro për pagesë të brezit shtesë frekuencor.
“Kërkesa e aksionarit për pagesë të dividentës në vlerë prej 30 milionë euro është marrë seriozisht në konsideratë nga Bordi i Drejtorëve dhe menxhmenti i PTK-së, dhe është vlerësuar gjendja financiare duke marrë parasysh edhe planin e biznesit për vitin 2015. Duke marrë parasysh të gjitha sfidat me të cilat aktualisht është duke u ballafaquar biznesi i PTK-së, shuma maksimale të cilën PTK do të mund ta menaxhonte për ta paguar si dividentë është 10 milionë euro, shumë e cila është e paraparë edhe në biznes planin e vitit 2015”, thuhet në vendimin e PTK-së të cilin e ka siguruar Tribuna Channel.