PTK nga 140 milionë euro që kishte qarkullim para dy vitesh, ka rënë në rreth 90 milionë euro, apo mbi 50 milionë euro më pak.
Hapja e 2 mijë pikave të shitjes është hapi I parë drejt ringritjes, përmes të cilës kjo kompani synon t’I inkasojë rreth 15 milionë euro më shumë.
Konsumatorët e kompanisë më të madhe për shërbime të telefonisë mobile dhe internetit në Kosovë, PTK, brenda një periudhe të shkurtër, do të mund të furnizohen me produktet e saj, kartela, mbushje elektronike, internet 3G dhe 4G, etj, në rreth 2 mijë pika të reja të shitjes në të gjithë Kosovën.
Këto 2 mijë pika të reja të shitjes, do të hapen brenda gjashtë muajsh në të gjithë territorin e Kosovës, në saje të marrëveshjes për partneritet strategjik që është nënshkruar gjatë ditës së sotme me kompaninë PayKos, e cila është në partneritet strategjik me njërën prej kompanive me renome botërore që ofron shërbime të tilla PayZone.
Marrëveshja parasheh që brenda gjashtë muajsh të hapen 2 mijë pika të reja në të gjithë territorin e Kosovës.
Hapja e pikave të reja të shitjes do të bëhet eskluvizisht me investimet e kompanisë private, PayKos, e cila ka partneritet strategjik me kompaninë e njohur botërore të distribuimit PayZone, ndërsa 1.200 pikat ekzistuese të shitjes të PTK-së, ku aktualisht shiten të gjitha produktet e telefonisë mobile, Vala, do të mbeten ashtu siç kanë qenë deri më tani.
PTK do të vazhdojë të jetë prezente edhe në të gjitha objektet e Postës së Kosovës konform marrëveshjes biznesore me operatorin publik duke synuar që të rrisë kualitetin e shërbimeve edhe në këtë sektor të shitjes.
“Kjo është një marrëveshje biznesore shumë e mirë për PTK-në. Përmes dyfishimit apo trefishimit të pikave të shitjes për produket e PTK-së, po fillojmë gradualisht të ndryshojmë qasjen e PTK-së në raport me konsumatorin. Do të jemi kudo që ka lëvizje të njerëzve, në tregje, markete, lokale, pika turistike, etj, etj”, ka bërë të ditur Drejtori Menaxhues i PTK-së, Agron Mustafa.
Marrëveshja për partneritet strategjik është inicuar para disa muajsh dhe ka kaluar nëpër të gjitha procedurat ligjore. Fillimisht, është publikuar shprehja e interesit të PTK-së në media për gjetjen e një partneri potencial, për t’u selektuar më pas për negociata të drejtpërdrejta kompanitë që përfaqësonin ofertat më të mira.
Procesi i partneritetit strategjik për hapjen e pikave të reja të shitjes në të gjithë territorin e Kosovës, ka marrë aprovimin dhe rekomandimin e të gjithë departamenteve të PTK-së.
Janë rreth 10 njësi të PTK-së, duke filluar nga Vala, Telekomi, Shitja, Prokurimi, etj, drejtuesit e të cilëve kanë nënshkruar për të përzgjedhur për partneritet strategjik kompaninë me ofertën më të mirë.