Ka qenë një akuzë e lëshuar në formën e replikës aty për aty nga Lulzim Basha drejt Taulant Ballës, ajo që ka kaluar pa u vënë re mirë nga mediat. Në kohën kur Lulzim Basha në daljen e dytë në foltoren e parlamentit, po akuzonte ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj për faktin se tashmë trafiku i drogës në Vlorë drejtohet prej vëllati të tij, këtu ka ndërhyre edhe Taulant Balla.
Por replika e kryedemokratit me kreun e grupit kuvendor socialist Taulant Ballën ka ardhur në formën e një paralajmërimi të beftë: “E di unë se në cilin drejtim flas dhe duhet të jesh me fat që spo të drejtohem ty kam edhe gjëra të tjera. Se ke qenë me mision në Elbasan para dy netësh. Dihet se kë ke takuar. Dhe do ta shohësh edhe CDU-në, mos u bëj merak”- ka deklaruar Basha.
Mënyra sesi Lulzim Basha e lëshoi këtë akuzë do të thotë se kryu i PD-së, kishte një informacion për një takim okult të Taulant Ballës me dikë apo disa njerëz në Elbasan, por nuk tha më shumë se kaq.
Ajo që dihet deri tani është situata në qytetin e Elbasanit është totalisht jashtë kontrollit të shtetit dhe policisë, ku dy banda qartazi po përplasen më njëra-tjetrën dhe në njërin krah është i përfshirë edhe dhëndërri i kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini. Kujtojmë se pak ditë më parë, ishte pikërisht automjeti i blinduar i biznesmenit Petrit Çela i cili drejtohej nga i biri i tij Suel Çela e zvarriti automjetin e zëvendës drejtorit të policisë së Elbasanit, në mes të një operacioni policior dhe prani të një numri të madh policiësh. Burime brenda policisë bëjnë me dije se brenda automjetit të blinduar, në momentin e incidentit ndodhej edhe Sokol Sanxhaktari, dhëndri i kryebashkiakut të Elbasanit.
Por përtej kësaj, ajo që është e këshillueshme për Lulzim Bashën në këtë pikë, ka të bëjë me faktin se nëse ai ka informacioni se kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla është takuar me persona të cilët tashmë zyrtarisht janë në konflikt ligjor me drejtësinë shqiptare, ti bëjë të ditur ato.
Jo se ka ndonjë dyshim se Taulant Balla ka lidhje me elementë kriminalë në Elbasan sepse kjo u pa qartë gjatë fushatës elektorale të 25 Qershorit, por e rëndësishme është të mos ketë dyshime se edhe Lulzim Basha ka limitet e veta në publikimin e informacioneve më rëndësi për opinionin publik, kur ai i zotëron ato.


















