Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dha dje arsyet e rritjes së çmimit të siguracioneve të makinave.
Autoriteti shpjegon se rritja me 20 për qind e siguracioneve të makinave erdhi për shkak të rritjes së taksës së primit të shkruar bruto 7 për qind, dhe pjesa tjetër për efekt të ndryshimit në primin e riskut, shpenzimet për dëmet dhe shpenzimet administrative të operatorëve.
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare shpjegoi se rritja reale pa efektin e taksës mbi primin e shkruar bruto është 13 për qind. “Nga të dhënat e raportuara në AMF, në regjistrin elektronik të shitjeve të sigurimit të detyrueshëm motorik, rezulton se tarifat e primit të sigurimit të policave të shitura pas datës 23 gusht kanë pësuar rritje. Rritja mesatare e primit të sigurimit për kategoritë e automjeteve, duke konsideruar edhe taksën mbi primin e shkruar bruto, është në vlerën 20 për qind.
Rritja reale pa efektin e taksës mbi primin e shkruar bruto është 13 për qind. Ndër faktorët përcaktues të çmimit të sigurimit të detyrueshëm motorik janë ndryshimi i primit të rrezikut, shpenzimet e ndërmarra për pagesën e dëmeve, shpenzimet e tjera operative të shoqërisë, fitimi i shoqërisë dhe taksa mbi primin e sigurimit”, sqaron AMF-ja. Nga ana tjetër, Autoriteti shprehet se do të marrë në analizë procedurën që kanë ndjekur operatorët e sigurimit për çmimet e reja që po aplikojnë.
SISTEMI I RI I SIGURIMIT
Sistemi i ri i siguracioneve, apo siç njihet ndryshe bonosmalus, do të fillojë impelentimin kur të miratohen ndryshimet e ligjit për sigurimin e detyrueshëm të mjeteve motorike. Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka huazuar modelin italian për aplikimin në vendin tonë të sistemit të ri. Nga ana e AMF-së është përfunduar e gjithë infrastruktura teknologjike, për aplikimin e sistemit. “Në lidhje me sistemin bonus-malus, sqarojmë se aktualisht AMF ka përfunduar zbatimin teknik të sistemit bonusmalus, domethënë sistemi është plotësisht funksional dhe parametrat e rrezikut, që janë numri i dëmeve dhe numri i viteve të plota të siguracionit të detyrueshëm për makinat dërgohen drejt sistemeve të shoqërive të sigurimit, duke bërë të mundur tarifimin me bazë rreziku.
AMF ka përgatitur draft-rregulloren përkatëse për zbatimin e sistemit bonusmalus, e cila pritet të miratohet në kuadrin e ndryshimeve të ligjit për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit, ku parashikohet edhe përfshirja në ligj i aplikimit të këtij sistemi në mënyrë të detyruar nga shoqëritë e sigurimeve në përllogaritjen e tarifave të primeve. Gjithashtu, AMF në bashkëpunim me palët e interesuara kanë përcaktuar algoritmin, si dhe numrin e klasave të sistemit bonus-malus”, shprehet AMF-ja. Panorama