Pse State Departmenti nuk kontaktoi me Hashim Thaçin për Gjykatën Speciale?

E publikuar: 05/08/2015 15:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Departamenti Amerikan i Shtetit i ka kontaktuar dje Presidenten e Kosovës Atifete Jahjagën dhe Kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin për t’i përgëzuar që Kuvendi miratoi Gjykatën Speciale. Por Zëvendës asistenti i Sekretarit të Departamentit të Shtetit për Europë dhe Azi Hoyt Yee, nuk i ka telefonuar Ministrit të Jashtëm Hashim Thaçit.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përshëndetur miratimin e Gjykatës Speciale nëpërmjet disa reagimeve. I pari ka reaguar ambasadori Greg Delawie, nëpërmjet një postimi në Twitter ku ka thënë se miratimi i Gjykatës Speciale është i rëndësishëm për reputacionin ndërkombëtar të Kosovës. Më pas një reagim ka ardhur nga Zëvendës zëdhënësi i State Departamentit Mark Toner, i cili ka thënë se tani është bërë e mundur që Gjykata Speciale të procedojë me proceset gjyqësore.

Ndërkohë, dje gjatë ditës, Zyra e Presidentës së Kosovës ka njoftuar për një telefonatë ndërmjet Jahjgës dhe Zëvendës asistentit të Sekretarit Amerikan të Shtetit Hoyt Yee. Po ashtu, në një njoftim për media Zyra e Kryeparlamentarit Veseli ka njoftuar për telefonatën me Yee, ku thuhet se diplomati amerikan ka “përgëzuar Veselin për lidershipin gjatë seancës kur u miratuar Gjykata Speciale”.

Por, deri më tani nuk ka pasur ndonjë njoftim nga MPJ se Ministri i Jashtëm Hashim Thaçi të ketë kontaktuar me zyrtarin amerikan.