Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Lidhja Demokratike e Kosovës duket se janë të vendosur për t’ua vazhduar izolimin qytetarëve të vendit, duke kundërshtuar në momentet e fundit ratifikimin e Demarkacionit. Ramush Haradinaj, edhe pse me dokumentin Thaçi – Vujanoviq, i ka kënaqur kërkesat e veta, tani po do ta fusë në votim edhe raportin e Komisionit “Bulliqi”. Ndërkohë LDK-ja po e kundërshton këtë edhe pse e di që edhe nëse votohet, dokumenti i Bulliqit nuk e obligon askënd
Nga dëshira për t’iu hakmarrë Ramush Haradinajt, Grupi Parlamentar i LDK-së po kundërshton me këmbëngulje që në votim krahas Projektligjit të Demarkacionit të jetë edhe raporti i Komisionit “Bulliqi”. Por, edhe Ramush Haradinaj po e shfaq egoizmin e tij duke kërkuar që përveç Deklaratës që i adreson shqetësimet e tij, pra Deklarata Thaçi-Vujanoviq, ta fusë në votim edhe raportin e Komisionit “Bulliqi”.
Deputetët të LDK-së dhe të AAK-së janë përplasur publikisht për këtë. Rasim Selmanaj nga radhët e AAK-së ka thënë se kjo parti nuk do ta japë votën e saj, nëse nuk hidhet në votim edhe raporti i Bulliqit. Kjo është kundërshtuar nga Ismet Beqiri i LDK-së, i cili ka thënë se me këtë raport nuk e votojnë.
Duke pasur parasysh këto qëndrime, ambasadori i SHBA-së, Greg Delawie, ka thënë se po çuditet se sa shumë po punojnë partitë për t’ua mohuar të drejtën qytetarëve për të lëvizur lirshëm.
Ndërkohë, LDK-ja ditëve të fundit i është zotuar disa herë ambasadorëve dhe elektoratit të saj se është unike rreth Demarkacionit, duke shfaqur gatishmërinë në takime partiake për ta votuar Demarkacionin.
Njeriu kryesor i LDK-së, në mungesë të Isa Mustafës, Agim Veliu, kishte thënë se marrëveshja e Vjenës është dokumenti kryesor edhe të tjera nuk kanë karakter legal.
“Ka qenë vetëm deklaratë e nënshkruar nga vullneti i lirë i dy presidentëve të dy vendeve. Unë sa jam i informuar ato kushtet e Marrëveshjes nuk kanë ndryshuar asnjë, ajo Marrëveshje është ajo që ka qenë pikë për pikë edhe qëndrimi ynë është se për atë Marrëveshje ne të japim votën unanime të deputetëve, që t’i hapim dyert për lëvizjen e lirë të qytetarëve, pra do ta votojmë. Unë nuk e besoj që do të ndryshohet”, është shprehur Veliu.
Por, ajo që po e shtyn LDK-në të kundërshtojë është dëshira për t’iu hakmarrë Ramush Haradinajt, i cili ka qenë kundërshtari më i madh i Demarkacionit dhe tani ka pranuar të ratifikojë Marrëveshjen e 2015-s.
Avdullah Hoti, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, në ditën kur u publikua Deklarata Thaçi –Vujanoviq reagoi ndaj Haradinajt duke thënë se as Deklarata e Podgoricës nuk ka karakter legal.
“Po ashtu, Deklarata e dy presidenteve, siç e thekson edhe vetë Presidenti i Kosovës, nuk ka karakter legal, është vetëm një akt i vullnetit të mirë, prandaj nuk përbën obligim. Me të nuk është vendosur asgjë e re, prandaj pretendimi i Hardinajt është i pavërtetë.
Lidhja Demokratike e Kosovës sqaron se baza për korrigjimin e gabimeve eventuale mbetet Marrëveshja e vitit 2015.
Lidhja Demokratike e Kosovës e konsideron kryeministrin Hardinaj si një nga përgjegjësit kryesorë që vendi ynë është izoluar gjatë tri viteve të fundit, si përgjegjësin kryesor që imazhi i Kosovës është rrënuar dhe që vendi është kthyer në pronë të liderëve politikë.
Duke i dikur këto, ai po përpiqet të krijojë opinion të pavërtetë dhe po vazhdon t’i mashtrojë qytetarët e Kosovës”, kishte shkruar Hoti.
Por, duke pasur që as dokumenti i Bulliqit nuk do të kishte ndonjë impakt, LDK-ja vetëm se po e përdor Demarkacionin për t’iu hakmarrë Haradinajt. Ndërkaq, ky i fundit duke insistuar që raporti i Bulliqit të hidhet në votim me çdo kusht vetëm sa po i plotëson apetitet e tij./express/



















