Nga Astrit Patozi
Sanremo ka qenë një mit për Shqipërinë e para vitit 1990.
Ishte pothuajse ngjarja më e rëndësishme artistike e vitit, ku shqiptarët përpiqeshin me sa mundeshin të përputhnin shijet e tyre me botën e ndaluar nga regjimi.
Italia nuk ishte për ne thjesht vendi më i afërt me perëndimin, por mbi të gjitha ai që rrezatonte më shumë kulturën e vet në anët tona.
Muzika zinte një vend të rëndësishëm në këtë shkëmbim kulturor gjysëm ilegal dhe është jashtë çdo dyshimi që Sanremo ishte kulmi i kësaj marrëdhënieje vetëm me një sens. Ka pasur shumë shqiptarë në atë kohë që italishten e kanë mësuar përmes këngëve të saj.
Falë Ermal Metës, Shqipëria është sot më afër Sanremos dhe padyshim që miti është zbutur, ndoshta po aq sa edhe diferenca mes dy vendeve, që nuk është më ajo e 30 vjetëve më parë.
Por sado krenarë që të ndjehemi sot, nuk duhet të na gënjejë mendja se kemi “pushtuar” Italinë dhe muzikën e famshme të saj.
Ermal Meta është suksesi individual i njeriu të zot, të rritur dhe formuar në perëndim, por që mbi të gjitha ka përfituar nga hapësirat e lirisë që ai ofron, pavarësisht origjinës, racës, fesë apo bindjeve politike.
Ka pasur në të shkuarën dhe do të ketë sërish shqiptarë të tjerë që do të na lumturojnë me arritjet e tyre.
E keqja është se ne kemi futbollistë të shquar, por kemi kampionatin më të shpifur dhe më të trukuar në botë.
Kemi shkencëtarë të mëdhenj, deri edhe nobelistë, por Akademinë më të atrofizuar dhe më të paralizuar të planetit.
Ne që prej sot kemi Ermal Metën, një yll të muzikës italiane, por përfytyrojeni pak atë në festivalin e Këngës në Radio Televizion, një eveniment dëshpërues, që degradon vit pas viti. Saqë mund të thuash pa frikë se sot i njëjti aktivitet është më larg Sanremos, se sa ishte në vitet 70-80.
Jam pothuajse i bindur se fati i kantautorit shqiptar, që fitoi dje festivalin më prestigjoz të muzikës italiane, do të kishte qenë krejt tjetër, nëse nuk do të ishte larguar nga Shqipëria. E pra, është e njejta farë, por që në tokën e vet nuk e lënë të mbijë.
Ndaj edhe nuk na shkon shumë që ta urojmë Ermal Metën, pse po na nderon si shqiptarë, kur ne e turpërojmë atë me atë që i kemi bërë atdheut të tij dhe tonit.
Sepse Shqipëria sot, padyshim, që mund të mburret me Ermalin, por druaj shumë që ai mund të krenohet dot me këtë Shqipëri.
*Astrit Patozi, ish-deputet i Partisë Demokratike