Nga Uk Lushi
Është e dhimbshme të shohësh shtetin për të cilin e ofron jetën dhe angazhohesh tërë jetën të sillet si mekanizëm arbitrar dhe i pashpirt që nuk respekton minimumin e dinjitetit dhe respektit për shërbyesit e tij.
Sot mora vesh që pushteti aktual i Kosovës, konkretisht titullarët e politikës së jashtme të tij, Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Donika Gërvalla-Schwarz, më 30 qershor, paskan hedhur nga puna Konsullin e Kosovës në New York, Lulzim Krasniqi, pa i dhënë asnjë ditë afat. Siç kam shkruar më 2 prill 2022, pushteti ka të drejtë të transferojë apo edhe shkarkojë shërbyesit e shtetit, por as shteti dhe as tradita shqiptare nuk përligjin hedhjen në rrugë as të shërbyesve dhe as shtetasve pa u dhënë një kohë e nevojshme dhe arsyeshme.
Zonja Gërvalla-Schwarz, siç ua thashë ndër sy gjatë vizitës suaj në New York, trajtimi jo i mirë i njerëzve të Kosovës nga ju reflekton keq për ju, qeverinë dhe pushtetin.
Zonja Zv.Kryeministre, pse ky vurmak?! Pse nuk mund pritet derisa të gjenden zëvëndësimet adekuate dhe pse nuk u jepet kohë shërbyesve e pakta disa muaj të kthehen në atdhe si dhe të risistemojnë jetët e tyre dhe familjeve të tyre?!
Unë e vërej afshin për revanshizëm te shumë nga ju dhe te shumë nga përkrahësit tuaj, por nuk e kuptoj këtë cen çnjerëzor. Si rezultat, pres sulme dhe sharje nga shqiptarë pa edukim demokratik, mirëpo unë nuk mund të mos flas e shkruaj kundër të keqes. E di poashtu që trutë e trashë të disa partizanëve do t’i shtyejnë ata t’u duartrokasin, mirëpo unë nuk mund të hesht kur shoh gabime dhe padrejtësi. Një ditë do ta shihni që unë po ju flas si flet një dashamir i juaji dhe sidomos një dashamir i shtetit tonë. Shteti trajton si duhet edhe shtetasit kriminelë, e lëre më njerëzit që kanë shërbyer apo i shërbejnë atij.
Në fund, si shtetas i Kosovës dhe si shqiptar, dua t’i falënderohem Konsullit Krasniqi për shërbimin e tij dhe t’i dëshiroj suksese në çdo drejtim. Ai ka qenë një punëtor i papërtuar të cilin komuniteti shqiptaro-amerkan e ka dashur dhe do ta dojë. Atdheu duhet të duhet edhe kur pushteti i tij të keqtrajton dhe të shkelë.