Pse i thanë “Jo” seancës së jashtëzakonshme të Vetëvendosjes, partitë opozitare?

E publikuar: 18/11/2025 20:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka thirrur seancë të jashtëzakonshme, për nesër në ora 11:00.

Ndër të tjera, kjo seancë përfshin tema të rëndësishme si buxheti për vitin 2026, buxheti për RTK-në dhe buxheti për disa komuna. Po ashtu, në këtë seancë pesë pika të rendit të ditës trajtojnë marrëveshje ndërkombëtare në vlerë prej një miliard euro financim, prej tyre 90 milionë euro grant nga BE-ja.

Por, kësaj seance të jashtezakonshme iu përgjigjën negativisht pothuajse të gjitha partitë opozitare.

Pas Lidhjes Demokratike të Kosovës, nesër në seancën e parë e cila nis nga ora 11:00 e ku parashihet të votohet buxheti, nuk do të marrin pjesë as Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ndërkaq, nga AAK-ja, zëdhënësi Kushtrim Xhemajli, deklaroi për Klankosova.tv se në seancën e dytë do të jenë prezentë, por s’kanë votë pro mandatarit Glauk Konjufca.

“Nesër nuk marrim pjesë në seancën e parë, në të dytën votojmë kundër”, deklaroi ai për Klankosova.tv.

Derisa sekretarja e PDK-së Vlora Çitaku, deklaroi se para fillimit të seancës do të mbajnë konferencë për shtyp.

“Sot kemi pasur mbledhjen e GP-së bashkë me kryetarin Hamza, dhe ne nuk do të marrim pjesë në seancën e parë. Para fillimit të seancës do të mbajmë konferencë për shtyp”, u shpreh Çitaku.

Nisma Socialdemokrate përmes një komunikate e ka konfirmuar se nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00, të thirrur nga kryeparlamentari Dimal Basha.

“NISMA Socialdemokrate nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme të orës 11:00, e thirrur me urgjencë dhe pa konsultim paraprak me subjektet politike, ndonëse aty figurojnë çështje të rëndësishme për vendin. Tema të tilla kërkojnë përgjegjësi institucionale, përgatitje dhe debat serioz, jo nxitim e improvizime!” – thuhet ndër të tjera në njoftim.

Po ashtu nesër do të mbahet edhe seanca për votimin e qeverisë e cila pritet të nisë nga ora 14:00.